Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me sulmin terrorist në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, raporton Express.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është ngritur ndaj 45 personave.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.

Ngritja e aktakuzës vjen gati një vit pas sulmit. Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale për mosngritjen e aktakuzës. Kritika ka bërë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndryshe, grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radojiçiq sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ku vrau heroin Afrim Bunjaku.

Në qershor të këtij viti, Policia e Kosovës kishte deklaruar për Express se ishin identifikuar 48 terroristë, ishin ngritur kallëzime penale ndaj 45 personave, urdhër-arreste vendore kundër 41 të dyshuarve dhe 39 urdhër-arreste ndërkombëtare.

Kallëzimet penale janë ngritur nën dyshimet se janë konsumuar veprat: Vrasje e rëndë, sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,. Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, kryerja e veprës terroristge, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, shpërlarja e parave dhe financim i terrorizmit.