UEFA e ka marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.
Shtëpia e futbollit evropian vendosi që këtë ndeshje ta regjistrojë me rezultat zyrtar, 3:0 për rumunët pas mbledhjes së Komisionit Disiplinor të saj, shkruan “Gazeta Express”.
Shtëpia e futbollit evropian e pa fajtore palën kosovare për tërheqje nga loja në minutat shtesë dhe për mosbindje të urdhrit të referit për t’u rikthyer në fushën e blertë.
Gjithashtu, dy Kombëtaret u gjobitën për ato që ndodhën të premten mbrëma në stadiumin “National Arena” në Bukuresht.
UEFA vendosi ta gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6,000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit kombëtar.
Federata Rumune e Futbollit mori gjoba të shumta, respektivisht 128 mijë euro, dhe u dënua me një ndeshje pa praninë e shikuesve si vendëse për shkak të thirrjeve raciste apo diskriminuese të tifozëve të saj.
Gjithçka eskaloi në minutat shtesë të ndeshjes kur pas një zënke mes futbollistëve të të dyja ekipeve, nisën thirrjet raciste nga ana e tifozëve rumunë ndaj futbollistëve të Kosovës, me ç’rast këta të fundit u larguan nga fusha dhe nuk pranuan të ktheheshin më, ndërsa gjyqtari i dha fund ndeshjen me vetëm rumunët në fushën e blertë.