Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Federico Bernacca, ka pritur sot në Prishtinë krerët e Listës Serbe të prirë nga Zlatan Elek. Në njoftimin e lëshuar nga KFOR për këtë takim, thuhet se në takim kanë diskutuar për Veriun e Kosovës dhe shqetësimet e Listës Serbe.

“Gjenerali Bernacca dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni vizitues”, thuhet në njoftim.

Bernacca në këtë takim ka thënë se KFOR-i ka një prani të dukshëm dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe është e pozicionuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë.

“Ai përsëriti përkushtimin e palëkundur të misionit për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së. Në këtë drejtim, KFOR-i vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, potencon njoftimi.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon njoftimi i KFOR.

Ky takim vjen pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës që ka rezultuar me mbylljen e institucioneve parlaele të Serbisë në Veri.