Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt, të cilin organet gjyqësore në Serbi e dënuan me 6 vjet burgim për krime lufte, ka thënë për RTK-në se për dënimin e tij u njoftuan nga avokatët dhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës atje.

“Siç e keni kuptuar nga burime të ndryshme vëllai im po mbahet në burg të Serbisë prej 3 janarit të vitit 2020 dhe pas shumë e shumë seancave gjyqësore sot datë 6 dhjetor është dhënë dënimi nga organet e drejtësisë në Serbi dhe si rezultat Nezir Mehmetaj dënohet me 6 vite burg. Ne këtë lajm e kemi pranuar menjëherë pas përfundimit të seancës nga avokatët dhe nga zyrtari i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës dhe ky lajm për familjen është jo i mirëpritur pasi që për afro 5 vite rresht nuk ka pasur as edhe një fakt të vetëm që e ndërlidhë vëllanë me akuzën e bërë ndaj tij. Është indikative që ky gjykim ka qenë i tejzgjatur, ka filluar në mars të vitit 2021 dhe ka përfunduar më 6 dhjetor 2024, pra më shumë se tri vite e gjysmë, por shpresojmë se drejtësia në shtetin e Serbisë do e sheh të arsyeshme ta lirojë për një afat sa më të shkurtër Nezirin duke llogaritur kohën e mbajtjes dhe procedurat tjera të vazhdojnë më tutje”, tha për RTKlive, Valon Mehmetaj.

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore serbe me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.

Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.

Mehmetaj do të apelojë dënimin për krime lufte nga gjykata serbe.