Në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Gjykimi do të rifillojë sot, 27 gusht, në orën 09:00, me dëshminë e dëshmitarit të ri të ZPS-së.

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia  në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.