Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdon ta injorojë ftesën e Prokurorisë Speciale.
Sërish sot u bë me dije se i pari i Qeverisë nuk e ka ndërmend ta respektojë thirrjen e organit të akuzës.
Përmes zëdhënësit të tij, Kurti i çoi selame prokurorëve, se as që e ka ndërmend t’u shkojë për ta kryer obligimin me të cilin e kanë ngarkuar, raporton Klankosova.tv.
Përparim Kryeziu, përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se e kanë njoftuar Prokurorinë Speciale se nëse duan ta intervistojnë Kurtin, duhet t’i shkojnë atij në zyrë.
“Duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban, Kryeministri ka kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar”.
“Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit”, ka shkruar Kryeziu.
Por, vartësi i Kurtit nuk ka hezituar që ta luajë edhe rolin e gjykatësit, duke e kontestuar publikisht autoritetin e Prokurorisë Speciale.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, vijon akuza qeveritare ndaj institucionit të Prokurorisë.
“Për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit”, shkruan zëdhënësi i Kurtit.
Më 11 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës ftoi në cilësinë e dëshmitarit kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Bazuar në numrin e lëndës, Kurti ishte ftuar të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore.
Në thirrjen e Speciales thuhej se dëshmitari detyrohet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor në orën 9:30.
“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, thuhet në udhëzimet e Speciales.