Presidentja Vjosa Osmani sot ishte në Viti në vizitë me kryetarin e Komunës së Vitisë dhe mori pjesë në festën e Zojës së Madhe në Letnicë të kësaj komune. Mirëpo, agjenda e saj nuk ishte gjëja më karakteristike e kësaj vizite. Osmani u pa tek zbriste nga një veturë luksoze e tipit ‘G-Class’.

Në pamjet që ka shpërndarë Ekonomia Online, shihet si Osmanit i hapet dera e veturës ‘Mercedes G-Class’ nga mbrojtja e afërt përpara takimit me kryetarin e Vitisë, Sokol Halitin, shkruan Insajderi.

Osmani s’ishte parë më herët me ‘G-Class’ nëpër evente, andaj nuk dihet nëse është veturë e re e Presidencës.

Ajo përpara “14 shkurti të madh” në fitoren e përbashkët me kryeministrin aktual Albin Kurtin, fliste për varfërinë në Kosovë dhe shkaqet e saj. Thoshte se korrupsioni masiv dhe haraçi ishin shkaktarët kryesorë të varfërisë.

Ky vend nuk është i varfër për shkak të njerëzve që kanë punuar me nder e me përkushtim brenda vendit e jashtë vendit, por është i varfër për shkak të politikanëve, që kanë shndërruar biznese të tëra, nëpërmjet haraçit, nëpërmjet zhvatjes, nëpërmjet marrjes së përqindjeve edhe investitorëve të huaj, nëpërmjet krimit e korrupsionit masiv, saqë organizatat ndërkombëtare sot thonë se mbi 300 milionë në vit ne i humbasim vetëm nga ky korrupsion. Kjo është arsyeja pse mbi 100 mijë qytetarë sot në Kosovë jetojnë me më pak se një euro“, deklaronte Osmani.

Nga Vitia, Osmani që fitoi zgjedhjet bashkë me Kurtin duke premtuar zbutje të varfërisë, sot sulmoi këtë të fundit. Ajo foli për çështjen e Urës së Ibrit, e cila tha se aleatët ndërkombëtarë duan ta shohin hapjen e Urës së Ibrit si triumf të përhershëm e jo momental.