Vlerat e manganit në liqenin e Badocit janë ulur ndjeshëm, por uji mbetet ende i papijshëm. Këtë e ka konfirmuar Burbuqe Nushi – Latifi, udhëheqëse e Komisionit për ujëra dhe koordinatore në IKSHPK.

“I kemi marrë 15 monstra prej rrjetit të zonës, e cila furnizohet nga Badoci. Vlerat janë më të ulëta sesa ditëve të mëhershme, janë 0,2 deri në 0,4. Ndërkaq ka pasur vlera që kanë shkuar deri në 500 e 600. Standardi ligjor është 0,05 miligram për litër”, ka thënë ajo në RTK.

Nushi – Latifi ka treguar se sivjet ky fenomen është lajmëruar më herët dhe po zgjat më shumë.

Sipas saj, ndryshimet klimatike dhe infrastruktura e liqeve ndikon në rritjen e manganit.

“Është fenomen që ndodh gjithkund gjatë ndërrimeve sezonale. Pse po ndodh në liqenin e Badocit është për shkak të infrastrukturës që ka, por secili liqen që është i destinuar  për ujë të pijshëm e ka infrastrukturën asisoji që mund të ndërrohet niveli i përputhjes së ujit dhe përcjelljen e tij në fabrikë. Te Badoci është vetëm në një vend dhe nuk ka mundësi me lëviz me atë përthithje”, ka sqaruar ajo.