Sonte në një operacion policor në Mitrovicë, u arrestua 27-vjeçari Granit Vallqi, i cili kërkohej nga shteti gjerman për vrasje dhe grabitje.
Ai bashkë edhe me një tjetër, dyshohen se vranë një 85-vjeçar gjatë një grabitje më 7 shtator 2023 në Koln.
27-vjeçari me shtetasin libanez, Hassan Issa, sipas policisë gjermane e kishin rrahur të moshuarin e që më pas kishte rezultuar me vdekje.
Autoritetet njoftojnë se burri 85-vjeçar ishte gjetur pa shenja jete, i shtrirë në dysheme, në bodrumin e tij nga fqinji dhe djali i tij, ku një shirit ngjitës ishte mbështjellë rreth gojës dhe kokës së tij.
Po ashtu, autoritetet gjermane kanë njoftuar se dhomat në atë shtëpi u plaçkitën dhe pastaj u bënë përpjekje për të hapur kasafortën duke përdorur mjete.
Policia ka njoftuar se shkak i vdekjes së 85-vjeçarit ka qenë forca e përdorur ndaj tij.