Një aksident i rëndë trafiku mes dy automjeteve, njëra prej tyre veturë zyrtare  e policisë, ua mori jetën tre anëtarëve të familjes Gashi nga Peja.

Në këtë aksident që ndodhi të dielën rreth orës 19:00 në fshatin Çubrel të Skenderajt, të lënduar mbetën edhe pesë persona të tjerë, mes tyre katër zyrtarë policorë.

Lidhur me këtë aksident është ndaluar një zyrtar policor. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Lidhur me pyetjen tuaj, njoftoheni se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një  veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile.

Si pasojë e aksidentit, tre persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Për këtë rast, është ndaluar një person me vendim të prokurorit për 48 orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, ka thënë Preteni.

Ai ka shtuar se rasti është duke u hetuar në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ndryshe Inspektorati Policor në Kosovë ka njoftuar se deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e “mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt dhe ka goditur veturën civile”.

IPK ka njoftuar gjithashtu se zyrtari policor është suspenduar.

Ndërkaq tre zyrtarët policorë të lënduar në këtë aksident, janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dy prej të cilëve janë në Klinikën e Ortopedisë, ndërkaq një tjetër në Neurokirurgji.

Doktoresha Vlora Podvorica, theksoi për Telegrafin se gjendja e tyre është stabile dhe se njëri planifikohet ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjike.

Ajo bëri të ditur se zyrtarja policore B.H është dërguar për reanimim në Neurokirurgji për shkak të lëndimeve në tru.