Në emisionin FRONTAL të T7, avokati i Albulena Haxhiut, Tomë Gashi, ka thënë se ministrja e Drejtësisë për rastin e deklaratës së dhënë në RTV Dukagjini më datë 2 korrik është intervistuar në cilësinë e dëshmitares, shkruan Gazeta Express.

Në përballje me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili i ka kërkuar avokatit Gashi të tregojë nëse ministrja Haxhiu i ka treguar emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që pretendohet se e kanë telefonuar për t’u takuar e zgjidhur çështje të ndryshme, avokati Gashi ka thënë se ministrja Haxhiu i ka treguar emrat tek hetuesi, megjithatë vetë avokati Gashi s’i ka bërë publik në televizion.

Tomë Gashi ka thënë se pasi ministrja ka dëshmuar dhe i ka treguar emrat, rasti është mbyllur nga prokurori meqë sipas Gashit “s’ka asgjë aty”.

“Janë dy raste. Deklarata në RTV Dukagjini dhe postimi në ‘facebook. Deklaratën që e ka dhënë në Dukagjin e kanë thirrë në cilësi të dëshmitares.  Prokurori ende s’ka hapë hetime. Ajo e ka obligim me i tregu emrat. I ka treguar emrat. Ajo e vërtetë është thënë dhe prokurori s’ka çka me vazhdu më tej.”, ka thënë avokati Gashi.