Toma Dodaj, i akuzuari i katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pasi e pranoi fajësinë, është shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Dodaj akuzohej për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Ky i fundit akuzohej se ka shitur armën me të cilën është kryer vrasja.
Aktgjykimi ndaj Dodajt u shpall të premten nga gjykatësja Fatime Dermaku, pasi në seancën fillestare i akuzuari Dodaj pranoi fajësinë për veprën që i vihej në barrë.
Paraprakisht, gjykatësja Dermaku pyeti prokuroren dhe mbrojtësin e Dodajt, avokatin Agim Kuçi nëse kërkojnë seancë të veçantë për caktimin e dënimit.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nuk kërkon seancë për caktim të dënimit, edhe avokati Kuçi tha se nuk kërkojnë seancë për caktimin e dënimit për shkak të ndjeshmërisë së rastit, duke shprehur keqardhje për familjen e viktimës.
Deklarimin e të mbrojturit të tij e mbështeti edhe vetë i akuzuari Dodaj.
Më pas, gjykatësja Dermaku tha se i akuzuari dënohet me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
I njëjti detyrohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës në shumën prej 80 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar udhëzohet në konstest civil.
Gjykatësja tha se arsyeja pse i akuzuari mori dënim me 5 vite burgim është për shkak të pasojës së rëndë, por meqenëse e ka pranuar fajësinë tha se mendon që me këtë arrihet qëllimi i dënimit.
Paraprakisht, në seancën fillestare, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Kurse, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.