Tetë policë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti me autoblindë që ka ndodhur mbrëmë në veri të vendit. Ata janë dërguar në Spitalin e Mitrovicës për trajtim. Pas ekzaminimeve, pesë prej tyre janë liruar për në shtëpi, e tre janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike dhe Universitare. Për gjendjen e tyre kanë folur drejtori i klinikës e mjeku kujdestar.
Një prej policëve, pas trajtimit në Emergjencë, është transferuar për në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.
Drejtori i kësaj Klinike, Nazmi Kolgeci, i ka thënë se polici i pranuar tek ta ka frakturë të brinjëve, por se gjendja e tij është stabile.
“Një polic është pranu tek ne. Është me frakturë të brinjve. Gjendja e tij është stabile për momentin”, ka thënë Kolgeci, për Express, transmeton Paparaci.
Për gjendjen e policit që është transferuar në Ortopedi, ka folur Mjeku kujdestar, Doktor Ermiri, i cili i ka thënë Gazetës Express se gjendja e policit që është i shtrirë në këtë klinikë është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ai ka bërë me dije se ai ka patur thyerje të kërcirit të djathtë dhe se mbrëmë është kryer intervenimi ku i është vendosur pllakë.
“Po, ju njoftojmë se dje rreth orës 10:00 në mbrëmje është sjellë nje polic 27-vjecar, ku ka patur thyerje te kërcirit të djathtë dhe menjëherë nga ekipi kujdestar i ortopedisë është kryer intervenimi operativ ku është vendosur pllakë, momentalisht gjendja e tij është stabile dhe nuk ka rrezik për jetë”, ka deklaruar ai.