Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur për shkak të thirrjes së Glauk Konjufcës për ndarjen e subjekteve politike në dy tabore: “shqiptarizmit” dhe “Beogradit”.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar të martën me pesë mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje, shkaku i deklarimeve përçarëse të Konjufcës gjatë një tubimi me qytetarë javën e kaluar.

Gjatë një takimi me qytetarë të lagjes ‘Kodra e Diellit’ në Prishtinë të enjten, kryetari i Kuvendit tha se dilema e zgjedhjeve të 9 shkurtit është zgjedhja mes shqiptarizmit dhe atyre që qeverisin me Beogradin.

“A ka me u qeverisë në Kosovë mas 90 shkurtit shqiptarizmi edhe kombëtarizmi shqiptar, a me u qeverisë bashkë me Beogradin. Qekjo është dilema”, tha Konjufca gjatë fjalimit të tij.

Gjuha e tij është vlerësuar denigruese dhe e urrejtjes ndaj subjekteve të tjera politike, tha PZAP-ja në arsyetimin e vendimit.

PZAP-ja, në vendimin e nxjerrë më datë 28.01.2025, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e obliguar që dënimin prej 5 mijë eurosh ta paguajë brenda 15 ditëve.