Qendra Klinike Universitare ka nënshkruar një tender, mbi bazën e të cilit ka dyshime të mëdha se janë shkelur procedurat dhe ligji.
Burime të Gazetës Blic kanë bërë me dije se kompania “Security Code” shpk është në fazën finale të dorëzimit të kallëzimit penal kundër komisionit vlerësues dhe personave përgjegjës në QKUK.
Në një bisedë telefonike, drejtori i kësaj kompanie, Milazim Lushtaku, ka deklaruar për gazetën se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe, në koordinim me avokatin, gjatë kësaj jave do të dorëzojnë kallëzim penal për shkeljet, duke ofruar argumentet për organet e drejtësisë.
Burime të gazetës bëjnë me dije se se tenderi në vlerë prej 1,050,000.00€ i parashikuar për sigurimin e klinikave në QKUK, në kohëzgjatje prej 6 muajsh, ka kaluar me shkelje të rënda. QKUK ka shkelur Ligjin e Punës dhe Ligjin e Prokurimit Publik.
Në këtë aktivitet, bazuar në ankesat e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, ka dyshime të bazuara se është vepruar në mënyrë të kundërligjshme në favor të një kompanie, Skyfterat-Live shpk. Kompania “Skyfterat – Live” fillimisht ka ofertuar me çmim 1,055,053.91 euro, por pastaj, në ditën e negocimit të kontratës me anëtarët e komisionit vlerësues, e ka zbritur çmimin në 743,047.92 euro. Ky operator ka zbritur çmimin për 306,113.56 euro.

Ky tender ka kaluar në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe është shpërblyer me kontratë, në afate rekord. Komisioni i caktuar për vlerësim përbëhej nga tre anëtarë: Ardian Shefkiu, ushtrues detyre i Drejtorit Mjekësor të ShSKUK-së; Mentor Zejnullahu, drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta Tekniko-Administrative; dhe Mukadeze Mustafa, zyrtare për financa në QKUK.
GazetaBlic ka tentuar të marrë një përgjigje nga ushtruesi i detyrës së Qendrës Klinike Universitare, Osmani Hajdari, por i njëjti ka thënë: “S’kam kurrfarë informacioni në lidhje me këtë, drejtohuni zyrës së informimit.” – Këta të fundit, ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Po ashtu, GazetaBlic ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania Skyfterat-Live. Megjithatë, pas kuptimit të çështjes, një prej punonjësve të kompanisë ka thënë se “vetëm është punëtor këtu”, duke refuzuar me çdo kusht të japë numrin apo email adresën e drejtorit të kompanisë.
Si përfundim, në bazë të informacioneve që kemi ky tender ka ngjallur dyshime serioze për shkelje të procedurave ligjore dhe favorizim të dyshimtë të kompanive. Dyshimet janë të thella, ndërsa reagimet nga të përfshirët ishin të paqarta dhe refuzuese.