Pretendimi i shefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, se mungesa e energjisë elektrike në Kosovë është si pasojë e zhvillimit ekonomik ka nxitur një uragan reagimesh në vend.

Një deklaratë e tillë është vlerësuar si tallje me qytetarët e Kosovës, të cilët prej ditësh po përballen me reduktime ta ashpra të energjisë elektrike.

Deklarata e shefit të KOSTT-it është dënuar edhe nga përfaqësuesit e opozitës.

Ata kanë vlerësuar se një pretendim i tillë është në funksion të propagandës qeveritare.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullha Hoti, ka theksuar se kjo dëshmon paaftësinë e Qeverisë Kurti.

Katër vite në qeverisje. Asnjë kapacitet i ri energjetik nuk është ndërtuar. Projekti i gazit u anulua, i cili sot do të ishte funksional. Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë bëjnë deklarime të përçudnuara se: “nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë”, “mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik” etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”, duke e kritikuar edhe ministren Artan Rizvanolli.

Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë. Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji, që po përdoret masivisht për ngrohje”, ka shkruar Hoti.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, e ka dënuar deklaratën e shefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Ai ka vlerësuar se një gjë e tillë është tallje me qytetarët e Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se zhvillimi ekonomik i kësaj Qeverie fillon te Ura e Saradranit e përfundon te Ura e Badovcit.

Sot, Ministrja e Ekonomisë dhe Kryeshefi i KOST-it, që mbajnë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët, kanë bërë një tjetër tallje me popullin. Kosova është në TERR, ndërkohë që ata po flasin për “zhvillim ekonomik”. Cili është ky zhvillim? Ku janë projektet e qeverisë? Qysh i ka punët sektori privat? Zhvillimi ekonomik i kësaj Qeverie fillon te Ura e Saradranit e përfundon te Ura e Badovcit. Kosova është në terr, por jo vetëm nga energjia elektrike, por edhe nga ky lloj qeverisjeje që e ka lënë popullin në varfëri”, ka shkruar Mustafa.

Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka theksuar se pushtetit po mundohet t`i justifikoi dështimet e tij.

Në profilin e tij në “Facebook”, Lekaj ka shkruar se rryma ndalet, por mashtrimet po vazhdojnë.

“Kur drejtori i KOST-it mundohet me justifiku dështimet e veta, rryma ndalet, por mashtrimet vazhdojnë pa ndërprerje. Turpi i tyre sa kufi”, ka shkruar Lekaj.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri të premten ka habitur opinionin me një deklaratë të tij, ku mes tjerash ka thënë se sistemi po përballet me ngarkerë, për shkak të “zhvillimit ekonomik”.

Si Operator i Sistemit të Transmetimit dëshirojmë të sqarojmë qytetarët, bizneset, mediat që Sistemi Elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat i zhvillimit ekonomik, që ka ndodhur në vitet e fundit; si rezultat i elektrifikimit të ekonomive e bizneseve tona. Operatori i Sistemit të Transmisionit është duke bërë maksimumin e mundshëm, që të operojë në kapacitetet tona.”, ka thënë ai.

Këtë dekkleratë ai e ka bërë në një konferencë të përbahsket me media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.