Komuna e Drenasit, bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, me urgjencë po i jep për shfrytëzim 54 prona publike, shumë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare e në vitin e fundit të mandatit të rregullt ligjor të kryetarit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të enjten, ku do të diskutohen 13 pika të rendit të ditës, raporton Paparaci.
Ndër çështjet më të “nxehta” është propozimi për dhënien e 54 pronave publike për shfrytëzim afatgjatë, për një periudhë prej 99 vitesh, për persona fizikë ose juridikë.
Ndër këto prona, përfshihen hapësira disa hektarëshe në qendër të qytetit të Drenasit, duke përfshirë ish-objektin e komunës dhe sallën e kulturës.
Ajo që e bën këtë situatë edhe më të ndjeshme është fakti se kjo nismë po ndodh në fundin e mandatit të rregullt ligjor të kryetarit, dhe në një kohë kur zgjedhjet parlamentare janë caktuar për 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Kjo ka ngritur dyshime dhe interpretime të shumta, duke bërë që shumë të shohin këtë lëvizje si një pjesë të fushatës politike, që synon të krijojë përfitime politike përpara zgjedhjeve.
Ndërsa zgjedhjet po afrohen, kryetari Lladrovci akuzohet për përpjekje për të përfituar nga pozita e tij për të ndikuar mbi elektoratin përmes vendimeve që prekin prona publike me vlerë të madhe për komunitetin.
Veçanërisht, për ish-objektin e komunës dhe sallën e kulturës, këto prona janë parë gjithmonë si vende të rëndësishme për qytetin.
Në një kohë kur zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen në shkurt, kohëzgjatja dhe natyra e këtij propozimi po shihet si një taktikë elektorale.
Kësisoj, lindin shqetësimet se pas vendimeve që mund të merren tani mund të fshihen motive politike.
Në këtë kontekst, mbledhja e jashtëzakonshme e kuvendit komunal pritet të jetë një arenë e nxehtë diskutimesh mes mbështetësve të propozimit dhe atyre që e kundërshtojnë atë.
Komuna e Drenasit, e udhëhequr nga PDK, në vazhdimësi është kampione e qeverisjes së mirë në nivel nacional. Edhe sivjet presim të jemi kampion, ka thënë së fundi kryetari Ramiz Lladrovci.
Siç ka deklaruar ai “PDK në Drenas, ka tërë kapacitetin për ta drejtuar fushatën, për të organizuar bastionin për fitoren e madhe për zgjedhjet e 9 shkurtit. Qytetarët e komunës së Drenasit, e panë në vepër qeverinë aktuale. Ndryshimi i kësaj qeverisjeje me Kryeministrin e ardhshëm Bedri Hamzën, është e pashmangshme”.
“Pres përkrahje të pa rezervë, për ta vulosur fitoren tonë. Vota e PDK-së, sipas viteve, ka mbetur e palëkundur, përkundër ndryshimit të aktorëve opozitarë. Iniciativat para zgjedhjeve janë në modë dhe jetëshkurtër bashkë me iniciuesit e tyre”, thoshte tutje Lladrovci.