Një veturë çau turmën që ishte në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, pak kilometra larg Berlinit. Si pasojë, deri tani raportohet për dy viktima, mes të cilavë, një fëmijë…

Mbrëmjen e së premtës, rreth orës 19:04, një veturë hyri me shpejtësi të madhe ne Tregun e Krishtlindjes në Magdeburg.

Sipas Policisë gjermane, deri tani janë konfirmuar dy viktima.

Sipas Spiegel, i arresutari i dyshuar për këtë sulm, është një person i lindur në Arabinë Saudite, në qytetin Hofuf.

Emri i tij, raportohet të jetë Taleb A., dhe ai kishte arritur në Gjermani në mars të vitit 2006 derisa kishte fituar statusin e refugjatit në vitin 2016.

Der Spiegel raporton se ai ishte specialist i Psikiatrisë dhe Psikoterapisë.

Pak pasi ndodhi sulmi, Policia e Magdeburgut kishte apeluar te qytetarët që të rrinin në shtëpitë e tyre.

“Ju lutem qëndroni në shtëpi ose shkoni në shtëpi. Kjo do ta lehtësonte punën tonë” – u tha në deklaratën e Policisë së këtij rajonit, postuar në X.

Ky sulmi, ndodhi tetë vjet pas sulmit terrorist në tregun e Krishtlindjes në Berlin.

Para tetë vitesh, më 19 dhjetor të vitit 2016, në një treg të Krishtlindjes ishin vrarë 13 persona dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur, kur një pjesëtar i ISIS-it hyri me kamion në turmën e mbledhur në atë treg.

Masat e sigurisë ishin rritur ndjeshëm pas sulmit në kryeqytetin Gjerman. Shumë vende në Berlin tani mbrohen nga barriera strikte të sigurisë – sidomos në tregje të ngjashme si ai në Berlin.

Ajo që ngritet si pyetje tani, siç shkruan Euronws, është se a ishin propozuar masa të ngjashme si në Berlin, edhe në qyteza si Magderburgu.

Dy javë më parë, autoritetet gjermane raportuan se kanë parandaluar një sulm potencial terrorist në Tregun e Krishtlindjes në Bavari. Një 37 vjeçar nga Iraku, që dyshohej se po përgatiste një sulm të tillë, ishte arrrestuar, sipas Welt.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar që ‘ky akt dhune të hetohet dhe të marrë dënimin e merituar’.

Von der Leyen postoi në X, një mesazh ku thuhej veç tjerash se ‘qëndron me familjarët e viktimave që pësuan nga ky akt brutaliteti’

“Ngushëllimet e mia për të afërmit (e viktimave) dhe shumë falenderime për policinë gjermane dhe shërbimet emergjente. Ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër”, shkroi ajo.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të qëndrojë nesër në qyztezën Magdeburg.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se ‘është i shokuar nga ky horror’.

“Mendimet e mia për viktimat, të lënduarit, më të dashurit e tyre dhe famlijet. Franca ndan dhimbjen me popullin gjerman dhe shpreh solidaritetin e plotë”, u tha në deklaratën e Macron.

Disa nga fotografi nga vendi i ngjarjes, nga Associated Press:

(Njesite Speciale gjermane, AP)