Edward P. Joseph, Profesor për studime ndërkombëtare të avancuara, Johns Hopkins ka folur në lidhje me zgjedhjen e Donald Trumpit, president i ShBA-së dhe ndikimin e tij në Gjykatën Speciale.

Ai u shpreh se në  ShBA ka pasiguri të jashtëzakonshme sa i përket asaj që do të sjell administrata e re e Trumpit dhe sipas tij, e njëjta vlen gjithandej në botë, e veçanërisht në Ballkan.

“Këtu në ShBA ka pasiguri të jashtëzakonshme sa i përket asaj që do të sjell administrata e re e Trumpit dhe mendoj se e njëjta vlen gjithandej në botë, e veçanërisht në Ballkan”, tha ai.

“Fjala kryesore që do ta përdorja për të përshkruar mandatin e dytë të Trump është ‘vlerat’, i tërë projekti i Perëndimit për stabilizim mbështetet në vlerat demokratike dhe ne e shohim degradim vërtetë serioz të këtyre vlerave në rajon”, u shpreh për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.

Joseph foli edhe për atë se nëse Trump mund ta mbyll Gjykatën Specialen, për shkak të hakmarrjes ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, duke thënë se nuk përjashtohet si mundësi.

“Hakmarrje. Hakmarrja është një motiv i mundshëm, sepse dimë se hakmarrja e motivon shumë presidentin Trump. E dimë se u tërhoq edhe nga marrëveshja nukleare me Iranin, vetëm sepse ajo ishte negociuar nga presidenti Obama, për të zhdukur çdo arritje që barte nënshkrimin e tij, kështu që nuk përjashtohet si mundësi”, u shpreh ai.