Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë konfirmuar se kanë pranuar një korrespodencë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë për rastin e moslejimit të Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka konfirmuar për RTKl, se Specialja ka pranuar letrën nga Haxhiu, por nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e letrës.
“Konfirmojmë se Dhomat e Specializuara kanë marrë korrespondencë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës për këtë çështje. Ne nuk japim detaje mbi korrespondencën tonë nëse nuk bëhet pjesë e një dosjeje publike”, tha ai.
Ndryshe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Ministrja ka bërë të ditur se do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara.
Tutje Haxhiu e ka cilësuar këtë vendim si absurd dhe shkelje të të drejtave themelore njerëzore.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës”, ka thënë Haxhiu.