Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka njoftuar se i është shpallur e papranueshme ankesa e Salih Mustafës për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse disa të tjera i rrëzoi.

Në njoftimin e DhSK-së thuhet se Mustafa u ankua për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme.

“Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”.

“Z. Mustafa gjithashtu u ankua se Paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi që ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës. Rrjedhimisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës vlejnë në kontekst të kësaj kornize autonome. Gjithashtu u konstatua se i vetmi ligj detyrues në fuqi lidhur me dënimin në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nuk u kërkon trupave gjykues të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës në dhënien e dënimeve për krime ndërkombëtare, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato ligje. Për këtë arsye u konstatua se pretendimi i z. Mustafa për shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk qëndronte”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, thuhet se Mustafa u ankua edhe se vendimi i Panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar Mbrojtësin e Viktimave që të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.

“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese. Dhoma gjithashtu theksoi se z. Mustafa nuk e kishte ngritur këtë problem para Panelit të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht nuk kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e efektshme sipas ligjit në lidhje me këtë. Si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, u tha në njoftimin e DhSK-së.