Drejtori i “Periskopit”, gazetari Ilir Mirena, ka publikuar e-mailin që i ka dërguar një gazetare e RTK Live, lidhur me shkrimin e gazetës boshnjake “Slobodna Bosna” që atakon dy media të Kosovës, e që u publikua edhe në transmetuesin publik.
Mirena ka thënë se grupe të caktuara brenda RTK’së ende po insistojnë “ta mbajnë gjallë këtë shpifje dhe të ndërtojnë sërish lajme mbi bazën e një shpifjeje që e kanë publikuar vet”, raporton Express.
“Po shkruaj një artikull për reagimet e opinionit kosovar ndaj tekstit që RTK e ka transmetuar nga portal Slobodna Bosna; po përpiqem të zbuloj se cila është e vërteta dhe çfarë është manipulimi i publikut. Meqenëse portal juaj përmendet në artikullin e SB’së, a mund të komentoni deklaratat e diskutueshme nga teksti dhe kështu të na ndihmoni pse Periskopi dhe Nacionale u përmendën në kontekstin e lidhjeve të supozuara me njerëz të afërt me Presidentin Vuçiq. Pra, a keni pasur ndonjëherë kontakt me personalitetet e përmendura në tekst? Nëse po, a kanë treguar interes për të blerë portalin tuaj apo për të ndikuar në politikat tuaja editorial në çfarëdo mënyre”, është përmbajtja e e-mailit që ka publikuar Mirena.