Radio Televizioni i Kosovës ka hapur një tender në vlerë 200 mijë euro për blerjen e veturave. Më këto para përshihet të blihen 10 vetura, nëntë prej tyre Limuzina dhe një SUVI.
Tashmë kanë kaluar dy javë që kur Radio Televizioni i Kosovës transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen nga Serbia.
Nga ajo ditë e deri më tash ende nuk ka asnjë masë nga Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) lidhur me raportimin skandaloz,
Anipse ishin premtuar masa ndëshkuese, deri më tani Bordi ka heshtur dhe nuk ka marrë ndonjë vendim. Ndërsa, tash e 15 ditë në punë del edhe Drejtori i Televizonit, Rilind Gërvalla, që ishte inicues i lajmit.
Duket se Gërvalla e ka lënë në harresë këtë skandal dhe po merret në qetësi me punët e RTK-së, shkruan Demokracia.com.
Madje, RTK që ka për drejtor Gërvallën, ka vendosur që t’i shtojë edhe asetet e veta me 10 vetura me kilometra zero-zero.
Për blerjen e tyre është shpallur tenderi që kap vlerën e 200 mijë eurove.
“Blerja e Veturave për nevojat e RTK-së. Vlera e parashikuar e kontratës: 200,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 16.09.2024. Sipas njësisë kërkuese AK-RTK planifikon blerjen e 10 veturave, ku nëntë (9) prej tyre Limuzina dhe një SUVI”, thuhet në njoftimin e shpallur.
RTK ia ka dhënë edhe një shpjegim kompanive konkurruese sesi është e liruar nga TVSH-ja dhe se kompanitë me rastin e importimit nuk duhet të ngarkohen me TVSH.
“Të gjithë OE duhet të ofertojnë me çmimin e njëjtë si në formularin e tenderit ashtu edhe në përshkrimin e çmimit (Pa marë parsysh se a ofertoni me tvsh apo pa tvsh) . Të nderuar, ju njoftojmë se Radio Televizioni i Kosovës në bazë të ligjit për lirimin nga TVSH për mediat elektronike dhe ato të shkruara, është e liruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për furnizimet e importuara të cilat janë të dedikuara për nevojat e RTK-së, apo ndonjë kompani që importon në emër të RTK-së, me rastin e importimit nuk duhet të ngarkohen me TVSH.”
Veturat që po parasheh t’i blejë RTK-ja janë të vitit 2024 me kilometra zero-zero.
“Motorri Dizell/Benzin. Emitimi i Gazrave euro 6. Viti i Prodhimit 2023/2024 km:00. Volumi i Motorrit cm. Minimumi: 999, Maksimumi: 1499 ccm. Fuqia e motorrit KW,KF. Minimumi:66KW 90KF, Maksimumi: 96KW/130KF. Ndërruesi i shpejtësive Automatik minimumi 6 shpejtësi. Numri i Ulseve 5(Pesë). Numri i Dyrëve 4+1 bagazhi. Ngjyra e bardhë ose hiri metalike. Gomat fellnet alumini 15 ose 16-she. Sistem navigacioni me ekran 8.7” me prekje USB, Bluetooth. Senzor parkingu Para dhe mbrapa + kamera mbrapa”. /Demokracia.com/