Temperaturat në vend janë aktualisht në rritje, duke kaluar në vlera pozitive, me përjashtim të zonave të larta malore, ku ato qëndrojnë rreth 0 ose 1 gradë Celsius.

Ndërsa maksimalet pritet të arrijnë  në 11-12 gradë Celsius deri të premten.

“Temperaturat janë në rritje dhe maksimalet pritet të arrijnë deri në 12 gradë deri të premten, por gjatë fundjavës masat e ftohta do të përfshijnë gjithë territorin, duke sjellë erëra të forta dhe reshje bore në disa zona”, tha Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas tij, të premten pritet një rënie e presionit atmosferik, e cila do të sjellë masa të ftohta gjatë fundjavës.

Gjatë kësaj periudhe, do të ketë erëra nga veriu, me shpejtësi deri në 8-9 metra për sekondë.

Në disa zona, reshjet e shiut që priten gjatë fundjavës mund të kalojnë në reshje bore.

Sot dhe nesër, reshje të dobëta shiu mund të ndodhin kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit.

Fundjava do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe kushte të paqëndrueshme atmosferike.