Numri i të prekurve nga sëmundjet e gjëndrës tiroide, një prej organeve më të rëndësishme, e cila gjendet në pjesën e parme të qafës, po rritet gjithmonë e më shumë në Kosovë. Kështu kanë bërë të ditur ekspertët shëndetësorë, të cilët kanë treguar statistikat dhe trendet e fundit të sëmundjeve të kësaj gjëndre.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se analizat e gjëndrës tiroide, mund të bëhen çdo ditë pune të javës, nga e hëna në të premten, për dallim nga më herët kur analizat e tilla janë bërë vetëm një herë në javë.

Duke pasur parasysh shtimin e rasteve, ku vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë bërë 12 mijë analiza, një rritje prej 100 për qind, Sadiku ka thënë për EO se po synojnë që analizat e tiroides të bëhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë.

Aktualisht analizat e tilla mund të bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe në dy qendra tjera, në Dardani dhe Breg të Diellit.

“Sëmundjet e gjëndrës tiroide bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve kronike jo infektive që fatkeqësisht së bashku me sëmundjen e diabetit janë sëmundje që po rriten gjithnjë më shumë. Duke pasur parasysh nevojën e madhe për numrin e madh të pacientëve nga kjo sëmundje ne nga viti i kaluar kemi vendosur që analizat e gjëndrës tiroide T3, T4 dhe TSH, të bëhen çdo ditë. Deri atëherë janë bërë vetëm një herë në javë, ndërsa sot bëhen çdo ditë, nga e hëna deri të premten. Këtë vit nga qershori kemi vendosur që këto analiza të shpërndahen dhe të distribuohen në Qendrat tjera të Mjekësisë Familjare, me qëllim që ta zvogëlojmë numrin e pritjes dhe t’ua ofrojmë mundësinë qytetarëve që këto analiza t’i bëjnë më afër në lagjen e vet”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, këto analiza janë shumë të rëndësishme sepse sëmundja duhet të trajtohet dhe përcillet vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Përveç ndikimit në shëndet, ai pohon se kjo ka një efekt pozitiv edhe në xhepin e pacientëve.

“Këto analiza kanë filluar nga qershori të bëhen edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani dhe në Breg të Diellit. Qëllimi ynë është që gradualisht të fillojmë edhe në lagjet e tjera që të bëjmë këto analiza, sepse këto analiza janë të domosdoshme. Kur pacienti diagnostikohet me këtë sëmundje, duhet të trajtohet gjatë gjithë jetës, dhe për këtë arsye atij i nevojitet ta përcjellë gjendjen e të sëmundjes. Njëra ndër mënyrat është për të bërë analizat më të shpeshta. Kjo e bënë të domosdoshme që, duke ditur buxhetin për kategorinë e të moshuarve, është shumë e mirëseardhur që kjo analizë të bëhet çdo ditë”.

Tutje, drejtori ka deklaruar se është rritur për 100 për qind interesimi i pacientëve e se vetëm gjatë gjashtë mujorit të këtij viti janë bërë 12 mijë analiza.

“Është rritur 100 për qind interesimi nga qytetarët, vetëm gjatë këtij gjysmëvjetori, kemi pasur mbi 12 mijë analiza të tilla që janë bërë, të gjëndrës tiroide dhe analiza që përcaktojnë matjen e nivelit të sheqerit që bëhet çdo tre muaj tek personat me diabet. Së bashku me këtë analizë është rritur kërkesa qind për qind, duke pasur parasysh se sëmundja e tiroides është sëmundje shprehur tek qytetarët. Këto analiza përsëriten shpesh, çdo tre muaj. Secila analizë së paku kushton pesë euro, 20 euro është komplet kostoja e ndonjëherë edhe më shumë. Nga kjo shihet se sa ka rëndësi edhe në përcjelljen e sëmundjes, por njëkohësisht edhe për xhepin e qytetarëve”, ka theksuar Sadiku.