Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues të martën rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për ta detyruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që ta nxjerrë dokumentin për të cilin Ismet Tara insistonte në Hagë, duke kërcënuar edhe me mosdhënie dëshmie në rast që Prokuroria s’e ofron atë.

“Më 27 shkurt 2025, mbrojtja e Veselit i kërkoi trupit gjykues të urdhëronte ZPS-së që të nxjerrte të gjitha shënimet e seancës përgatitore që i janë marrë dëshmitarit W04745.  Sipas mbrojtjes së Veselit, dëshmitari W04745 pretendoi gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues që ZPS-ja i kishte treguar një dokument gjatë seancës përgatitore dhe bazuar në përshkrimin e dokumentit që i jepte dëshmitari W04745, ky dokument mund të ketë qenë një produkt i punës së brendshme të Prokurorisë”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Veç kësaj, Smith tregoi se në parashtrimin e saj, mbrojtja e Veselit ka thënë se për ata ishte befasuese fakti që dëgjoi se seancat përgatitore të Prokurorisë me dëshmitarët nuk incizohen, raporton “Betimi për Drejtësi“, përcjell Periskopi.

“Mbrojtja e Veselit argumentoi se u habit kur mësoi se seancat përgatitore nuk incizohen edhe në këtë rast është e nevojshme që të nxjerrët shënimi që është marrë nga dita që është bërë seanca përgatitore me këtë dëshmitar. Mbrojtja e Veselit argumenton se shënimet janë të nevojshme që trupi gjykues të vlerësojë besueshmërinë e dëshmitarit dhe të kuptojë arsyet pse dëshmitari W04745 refuzoi t’iu përgjigjet pyetjeve të ZPS-së gjatë pyetjeve nga pala thirrëse”, tha Smith.

Si rrjedhojë, gjykatësi tregoi se në kërkesën e mbrojtjes u përgjigj edhe Prokuroria, e cila ka thënë se dokumenti që u përsërit në mënyrë të vazhdueshme nga dëshmitari, ka qenë deklarata e tij e mëparshme e vitit 2001.

“Më 4 mars 2025, ZPS-ja iu përgjigj kërkesës së mbrojtjes dhe vendosi që ta rrëzojë. Sipas ZPS-së, është e qartë që dokumentin që përsëriti në mënyrë të vazhdueshme dëshmitari është një deklaratë e mëparshme e dëshmitarit  e vitit 2001 të cilën mbrojtja e ka në posedim të vet dhe se mbrojtja e Veselit nuk ka paraqitur arsye të vlefshme se pse janë të rëndësishme shënimet shtesë”, tha ai.

Gjykatësi theksoi se janë rishikuar incizimet gjatë seancës dhe se trupi gjykues vlerëson se nuk ka asnjë arsye për ta pranuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit.

“Trupi gjykues vëren se mbrojtja e Veselit mbështetet në një pjesë të caktuar të dëshmisë së dëshmitarit për të mbështetur pretendimin e vet që dokumenti në fjalë që përmend dëshmitari W04745 mund të jetë një produkt i brendshëm i ZPS-së. Pasi rishikoi incizimet në tërësinë e vet, trupi gjykues vendos se nuk ka asnjë arsye për të pranuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit”, tha Smith.

Ai shtoi se është qartë nga dëshmia e dëshmitarit që dokumenti të cilin e ka kërkuar ai është deklarata e tij e 2001-ës dhe nuk ka të bëjë me ndonjë dokument të brendshëm të ZPS-së.

“Është e qartë nga dëshmia e dëshmitarit W04745 që shënimi përgatitor i ZPS-së, intervista e dëshmitarit e vitit 2019 që dokumenti në fjalë në fakt është deklarata e dëshmitarit e vitit 2001 të cilin mbrojtja e ka dhe nuk është një produkt i brendshëm i ZPS-së. Trupi gjykues kujton se dëshmitari W04745 nuk iu përgjigj pyetjeve të ZPS-së gjatë pyetjeve që iu bën por këto lidheshin me deklaratën e vitit 2001”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykyes tha se reagimet që dëshmitari i ka bërë në sallën e gjyqit ishin të ngjashme me reagimet e tij të mëhershme kur iu është prezantuar deklarata e 2001-ës.

“Prandaj, trupi gjykues nuk bindet që dokumenti që përmend dëshmitari W04745 të ketë qenë një shënim apo një produkt i brendshëm i ZPS-së siç pretendon ekipi i mbrojtjes së Veselit”, u shpreh ai.

Ndërsa, sa i takon parashtrimit të mbrojtjes së Veselit që tha se u befasua kur mësoi që seancat përgatitore nuk incizohen, Smith tha se tashmë ka një urdhër për këtë pjesë.

“Trupi gjykues rikujton se e ka shqyrtuar në hollësi dhe ka rrëzuar një kërkesë të mbrojtjes që ZPS-ja të incizonte seancat përgatitore me dëshmitarët edhe kjo është marrë në vendimin mbi kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për ndryshimin e urdhrit mbi zhvillimin e procesit gjyqësor. Kjo është një kërkesë që është rrëzuar më 18 qershor 2024. Krahas kësaj, trupi gjykues vërenë në parashtrimet e ZPS-së që i ka dhënë mbrojtjes të gjitha dokumentet që i ka lexuar, diskutuar me dëshmitarin W04745 gjatë seancës përgatitore, vlejnë”, tha ai.

Gjykatësi tha se nuk ka asnjë informacion për trupin gjykues që bie në kundërshtim me këtë si dhe rrjedhimisht, vlerësoi se kërkesa e mbrojtjes së Veselit rrëzohet.