Hetuesi Idriz Gashi, i suspenduar pas akuzave të pushtetit se ka marrë pjesë në një fushatë të PDK-së, është kthyer në punë.
Si rezultat, avokati Arianit Koci, ka thënë se ky është triumf i drejtësisë.
Idriz Gashi u suspendua pasi një portal i afërt me pushtetin publikoi një fotografi, kinse polici hetues ka qenë në fushatë të PDK-së.
Këtë e demantuan pamjet e tjera të publikuara nga Demokracia dhe Nacionale, e ku në tubimin ku ishte Gashi, nuk shihet asnjë politikan.
Gashi ishte hetues në rastin e Nagip Krasniqit dhe rezervës shtetërore.
“Drejtësia gjithmonë triumfon, dhe kësaj here, fatmirësisht, pa vonesë. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim elektoral. Si rezultat, siç kam parashikuar, rreshteri Gashi rikthehet në detyrat e tij policore”, ka shkruar Arianit Koci.
Historia e hetuesit Gashi
Hetuesi i suspenduar pas sulmeve të pushtetit ishte drejt largimit nga Njësia që heton korrupsionin: Kishte hetuar Nagip Krasniqin e rezervën shtetërore
Hetuesi i Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë që e lufton korrupsionin, Idriz Gashi, u suspendua nga detyra.
Kjo pasi në një portal të afërt me Vetëvendosjen u publikua një fotografi kinse Gashi ishte pjesë e një tubimi në fushatë të PDK-së.
Megjithatë, avokati i Idriz Gashit, Arianit Koci, bëri të ditur se fotografia ka qenë manipulim.
Në pamjet e publikuara nga mediumi Demokracia, dhe në një video të siguruar nga Nacionale, shihet se polici hetues ishte në një ndejë në fshatin Rezallë, dhe aty nuk shihet asnjë politikan e asnjë fushatë e asnjë partie politike.
Madje, sipas Kocit, pasi fotografia është manipuluar, ai do të bëjë kallëzim penal. Kjo pasi ajo fotografi është nxjerr gjithashtu prej një video, në të cilën nuk shihet asnjë politikan.
“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është FALSIFIKUAR! Hetuesi policor Idriz Gashi NUK KA QENË pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë! Për këtë, klienti i im ka prova materiale! Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj KALLËZIMIN PENAL për falsifikimin e fotos. Ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e një zyrtari dhe për të dërguar një mesazh të qartë: drejtësia nuk do të tolerojë manipulime të tilla. Le të shërbejë ky rast si një shtysë për forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve tona”, ka shkruar Koci në rrjete sociale.
Policia ka bërë të ditur se suspendimi ka ardhur pasi disa zyrtarë morën pjesë në një fushatë politike.
Megjithatë, kush është Idriz Gashi, hetuesi i korrupsionit që zbuloi aferat korruptive në KEK dhe rezervën shtetërore.
Nacionale muaj më parë kishte bërë të ditur se 5 policë hetues të kësaj Njësie, ishin në një listë të largimit nga Njësia që e heton korrupsionin.
Nacionale solli me iniciale emrat e të gjithë këtyre hetuesve. Në mesin e tyre ishte edhe Idriz Gashi, që tash u suspendua.
Gashi ishte në listë të largimit nga Njësia e Veçantë e Policisë. Kjo pavarësisht se ai kishte zbuluar aferat korruptive në KEK dhe kishte hetuar rezervën shtetërore.
Gazeta Nacionale kishte mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri Idriz Gashi është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia. Pra, kjo njësi e cila ka trajtuar afera të rëndësishme të korrupsionit, tash më nuk funksionon, përderisa të gjithë hetuesit janë shpërndarë.
Të gjithë këta zyrtarë që ishin në listë të largimit janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria. Komuna këto të cilat nga udhëheqja e re e Njësisë, etiketohen si zona ku kanë përkrahje më shumë partitë e opozitës, të cilat më parë ishin në pushtet. Në këtë formë, hetuesit të cilët ndër vite kanë hetuar edhe zyrtarët e PDK-së e LDK-së, në ditët e sotme janë komplet të pafuqishëm, dhe po presin vendimin përfundimtar për largim. Krejt kjo në emër të një risistemimi.
Gazeta Nacionale posedon informacione të tjera lidhur me zyrtarët e tjerë që janë pozicionuar nëpër pozitat udhëheqëse brenda njësisë. Gazeta ka siguruar me emra të gjithë hetuesit, megjithatë do t’i publikojë vetëm me iniciale.
Me largimin e Shemsi Hazirit, erdhi në udhëheqje të Njësisë majori Besim Berisha. Me ardhjen e tij, është ndryshuar komplet zinxhiri udhëheqës i kësaj njësie. Të gjithë udhëheqësit që kanë ardhur nëpër pozita të reja, kanë afërsi me shefin e Njësisë, i cili është emëruar pas largimit të Shemsi Hazirit. Shefi i ri i Njësisë, Besim Berisha, tashmë cakton hetues nëpër rastet e reja, vetëm ata të cilët i përshtaten. Kështu kanë deklaruar sinjalizuesit për Nacionalen.
“Asnjë hetues që ka pasur raste të mëdha ku kanë qenë të përfshirë zyrtarët e pushtetit aktual, nuk marrin raste të reja të profilit të lartë. Të gjitha ato raste, u jepen shefave të rinjë që i ka emëruar, e që i ka nën kontroll”, ka thënë ky sinjalizues në kushte anonimiteti.
Disa muaj pas këtij raportimi të Nacionales, Policia e konfirmoi se këta hetues, pra edhe Idriz Gashi, janë rrugës për t’u larguar.
Gazeta Nacionale para pesë muajsh kishte publikuar hulumtimin ekskluziv, ku ishin publikuar të dhëna se pesë hetues të kësaj Njësie, janë në një listë të largimit nga Njësia e Veçantë Hetimore. Çuditërisht apo jo, këta pesë hetues, ishin kryesisht udhëheqës të ekipeve apo mbikëqyrës, që kishin hetuar e zbuluar aferat më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë zyrtarët e lartë të qeverisë Kurti.
Pavarësisht se drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e kishte mohuar se ka një listë të largimit, një gjë e tillë tash po konfirmohet zyrtarisht nga Policia e Kosovës. Burimet i kanë thënë gazetës Nacionale se edhe pas pesë muajsh, këta pesë hetues mbeten pa një vendim zyrtar se ku ta vazhdojnë punën. Sinjalizuesit e afërt me krejt këto zhvillime, kanë bërë të ditur se në sistemin elektronik “Prims”, emrat e këtyre hetuesve nuk figurojnë si pjesë e Njësisë së Veçantë Hetimore.
“Janë pa asnjë vendim. Në sistemin elektronik nuk iu figurojnë emrat, as nuk iu shfaqet asnjë mbikëqyrës. Raportimi i mediave për largimin e tyre ua ka prishur pak planet, dhe duket se e kanë shtyrë si vendim përfundimtar, megjithatë ata 5 hetues zyrtarisht nuk është se janë pjesë e kësaj njësie”, kanë thënë burimet e afërta në kushte anonimiteti. Të njëjtat, nuk kanë dashur të shprehen publikisht, për shkak të frikës.
Informacionet e Nacionales i ka konfirmuar tash edhe Policia e Kosovës. Kjo e fundit ka thënë se për gradën rreshter, të cilën e kanë këta 5 hetues, është mbushur numri brenda Njësisë. Çuditërisht apo jo, hetuesit që kanë mbetur jashtë këtij numri, dalin të jenë ata që kanë trajtuar rastet e Martin Berishajt, Nagip Krasniqit, rezervën shtetërore e tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.
“Njësia e Veçantë e Hetimeve është në proces të kompletimit sipas Strukturës së re Organizative të Policisë së Kosovës e cila ka hyrë në fuqi më 2023 ( e cila do të rishikohet së shpejti) si dhe Listës së Personelit të Autorizuar për punonjësit e Policisë së Kosovës sipas Strukturës së re të organizimit. Siç parashihet me strukturë personeli në NJVH për zyrtarë me gradë nga rreshter e lartë është e kompletuar, ndërsa pesë zyrtaret e potencuar janë me gradë rreshter dhe një toger, e që janë në pritje të ri sistemimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për gazetën Nacionale.
Ndaj hetuesit Gashi kishte inicuar hetim edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari. Kjo pasi e njëjta kishte pretentuar se hetuesit e rezervës shtetërore nuk kishin certifikata të sigurisë.