Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka publikuar disa statistika shqetësuese për varfërinë në Evropë. Sipas këtyre statistikave, Kosova është një prej vendeve më të varfëra në Evropë, menjëherë pas Ukrainës, e cila vazhdon të jetë në luftë me Rusinë.

Gërxhaliu thotë se kjo renditje i demaskon statistikat dhe grafikonet imagjinare të Institucioneve Qeveritare. Renditja është bërë nga World Statistics.

“World Statistics ka publikuar renditjen e vendeve më të varfra në Evropë, dhe në krye të listës është Ukraina, e cila është në luftë me Rusinë, ndërsa Kosova, pavarësisht statistikave të shpallura dhe grafikoneve optimiste nga Institucionet Qeveritare për rritje ekonomike, është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Ukrainës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Kosova qëndron si vendi më i varfër në Ballkan, duke u krahasuar me fqinjët e saj që janë në pozicione shumë më të mira.

“Kjo situatë është alarmante dhe shqetësuese. Ndersa, krahasimi me vendet fqinje është ky:

  • Shqipëria: 8 vende më lartë
  • Maqedonia Veriore: 7 vende më lartë
  • Serbia: 9 vende më lartë?
  • Bosnja dhe Hercegovina: 4 vende më lartë,
  • Mali i Zi: 10 vende më lartë.”, ka shkruar Gërxhaliu.

Njohësi i ekonomisë thotë se gjendja e rëndë ekonomike e Kosovës është pasqyruar në raportet ndërkombëtare, duke treguar jo vetëm varfëri të madhe, por edhe një tendencë përkeqësimi të mëtejshëm. “Institucionet Qeveritare vazhdojnë të shpallin statistika që duken si ëndrra të bukura, por realiteti është shumë më i hidhur. Duhet ngritur pyetja se sa është lehtësuar vërtet jeta e qytetarëve me rritjen e proklamuar nga institucionet qeveritare?!

Në terren, qytetarët ankohen për inflacionin dhe rritjen e çmimeve, duke përballuar me vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin. Kjo situatë po përkeqësohet edhe më shumë nga ngulfatja e sektorit privat, ku shumë kompani po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosin kapitalin e tyre në vendet e rajonit.”, është shprehur Gërxhaliu.

Sipas tij, nga Kosova po largohen qytetarët, por edhe kapitali vendor falë mungesës së stabilitetit politik, mungesës së dialogut publiko – privat, burokracisë dhe nepotizmit, tentativave qeveritare për barazi në varfëri, sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe raporteve shqetësuese me SHBA-të.

Ai tha se për investime të huaja mund të flasin Institucionet dhe Banka Qendrore e Kosovës, por ato janë për tu dëshiruar, sepse përveç investimeve në patundshmëri nga diaspora, të tjera pothuajse nuk ka. “Le të kuptohet se përballë të vërtetës qëndron vetēm e vërteta dhe se nuk ka gjysëm të vërtetë! Indikatori më preciz i matjes së realitetit ekonomik dhe social nē një vend është jeta dhe niveli i standardit të jetesës së qytetarëve.”, ka thënë ai.

Tutje Gërxhaliu ka theksuar se ky raport është një sinjal emergjent për marrjen e hapave konkretë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai ka vlerësur se nëse nuk veprohet tani, pasojat do të jenë të pariparueshme.