Listës së miliona vizitorëve në kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz i janë shtuar edhe emrat e dy zyrtarëve të lartë policorë nga Paraguai, të cilët u mahnitën nga historia e familjes Jashari dhe sakrifica e tyre.
Ata rrëfyen përshtypjet për një sakrificë të pashembullt, për të cilën thanë se nuk e kanë ditur, dhe as nuk kanë dëgjuar të ketë ndodhur në historinë e ndonjë populli në botë.
Kureshtja që ka ngjallur historia e pashembullt e familjes Jashari, ka bërë që të udhëheqësit të lartë të policisë nga Paraguai të vijnë e të shkelin tokën e Prekazit.
Ndonëse ishin në vizita me shtetet fqinje, ata nuk e humbën rastin të bëjnë nderime tek varret e familjes Jashari.
Silgoro Cesar, gjeneral drejtues i Drejtorisë Antikrim të Paraguait dhe koloneli Vera Lideri.
Bashkë me familjen e ngushtë e miq shqiptare, panë nga afër dëshmitë e një historie të padëgjuar për ta.
“Është hera e parë që po e vizitojmë këtë vend dhe hera e parë që po dëgjojmë dhe mësojmë për historinë e këtij populli”.
Cezar, me një përvojë të gjatë dhe me njohuri të gjera për sigurinë dhe të kaluarën, thotë se histori si kjo e familjes Jashari nuk ka dëgjuar asnjëherë.
“Njoh histori të ngjashme, por si kjo histori jo. Kjo është unike. Unike dhe e vetmja që unë njoh, na takon neve ta njohim dhe shpresojmë që kurrë të mos përsëritet një histori e tillë në të gjithë botën”, shtoi ai.
Ndonëse shteti prej nga vjen nuk e njeh Kosovën dhe për shkak të natyrës së punës nuk dëshiron të flas për politikë.
Gjenerali Cesar prapë nuk heziton ta shprehë simpatinë për luftën për liri.
“Ndjehemi thellësisht të emocionuar duke e dëgjuar historinë e këtij populli që realisht e ndjen dashurinë për atdheun, që realisht kjo të mos përsëritet më kurrë, pra për lirinë që të gjithë popujt të jetojnë të lirë”.