Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se viti i ri shkollor nuk do të fillojë me greva, pavarësisht mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga Ministria e Arsimit, mirëpo s’e përjashton mundësinë për greva e protesta nga mesi i shtatorit.
Jasharaj ka thënë se gjatë muajit të ardhshëm do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, i cili do ta bëjë një vlerësim të situatës dhe të kërkesave, pas së cilave do të merret edhe vendimi për veprimet e mëtutjeshme sindikale.
“Ne kemi paralajmëruar që duke e parë situatën e anëtarësisë sonë, mund të ketë kërkesa të shtuara dhe nevojë për të bërë veprime sindikale. Në muajin maj kemi organizuar një protestë para qeverisë me pjesëmarrjen e kryetarëve të të gjitha shoqatave me kërkesa legjitime, por nuk morëm ndonjë reagim pozitiv nga qeveria Kurti dhe nga zonja Nagavci. Disponimi për veprime sindikale po rritet gjithnjë e më shumë. Ne nuk do të kemi grevë më 2 Shtator, por gjatë muajit shtator do të mbledhim Këshillin Drejtues, i cili është organi më i lartë dhe përfaqësues i të gjithë punonjësve në arsim, nga çerdhet deri në universitet. Ata do të bëjnë një vlerësim të situatës dhe të kërkesave, dhe nëse kërkesat që kanë mbështetje shumicën, ne do të veprojmë për to”, ka thënë Jasharaj.
Kreu i SBAShK-ut ka thënë se nga mospërmbushja e kërkesave nga MAShTI, mllefi i mësimdhënësve është duke u rritur dhe se nuk mund të përjashtojnë as protestat dhe as grevat që mund të ndodhin gjatë muajit shtator