Dega e LDK-së në Klinë ka mbajtur një sërë takimesh me strukturat e saj si përgatitje paraprake për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Anëtarësia e LDK-së në Klinë është më e mobilizuar se kurrë më parë, me synimin që LDK të dalë si partia e parë në këto zgjedhje.

“Besimi i qytetarëve për LDK-në po rritet ndjeshëm, por ne duhet të angazhohemi maksimalisht që çdo votues të ketë mundësinë të shprehë vullnetin e tij më 9 shkurt,” ka thënë Alban Rraci, kryetar i degës së LDK-së në Klinë dhe kandidat për deputet me numrin 38.

Sipas Rracit, këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse nuk janë thjesht zgjedhje për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës apo për qeverinë e saj, por janë një referendum për drejtimin që do të marrë shteti ynë.

“Jemi dëshmitarë se zhvillimi ekonomik ka ngecur, arsimi dhe shëndetësia vetëm sa kanë degraduar, ndërsa raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë janë cenuar. Siç thoshte gjithmonë presidenti Rugova: ‘Shtëpia mbahet me miq.’ Prandaj, është jetike për Kosovën që drejtimin e qeverisë ta marrë LDK me kryeministër Lumir Abdixhikun. Vetëm ne mund t’i japim vendit drejtimin e duhur për zhvillimin ekonomik dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët.”

Në këto takime kanë marrë pjesë edhe anëtarë të kryesisë së LDK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryetarët e komunave Pejë dhe Istog.