Mevlyde Mezini Saraçi, ish-deputete dhe aktiviste në kohën e luftës, e ftuar në FRONTAL në T7 ka folur për betejën e Prekazit dhe rënien e familjes Jashari, shkruan Gazeta Express.
E pyetur se si u siguruan arkivolet për anëtarët e vrarë të familjes Jashari, ajo ka treguar së pari ka qenë ish-presidenti Ibragim Rugova dhe Fehmi Agani kanë kërkuar ndihmë nga dega e Gjakovës.
Tutje, ajo ka treguar se në Gjakovë janë mobilizuar të gjitha partitë politike dhe brenda pak orëve i kanë siguruar arkivolet, të cilët janë paguar me mjetet e Këshillit komunal për ndihma emergjente.
‘‘Si çdo fillimi marsi është muaji i pikëllimit dhe krenarisë kombëtare. Duke marrë parasysh se rasti i familjes Jashari është rast unik në botë. Duke marrë parasysh angazhimin e përbashkët që kemi pasur, presidenti i asaj kohe historik Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, kanë biseduar me degën e Gjakovë dhe kanë kërkuar ndihmë që ne t’i dërgojmë arkivolet. Dhe kanë besuar që ne mund ta kryejmë atë punë. Profesor Agani është konsultuar me Kryqin e Kuq ndërkombëtar të cilët kanë bë biseda me policinë serbe dhe si rast humanitar e kanë garantuar transportin. Jemi mobilizuar të gjitha partitë politike në Gjakovë, dhe me aktivetin tonë për pak orë kemi arrit në gjitha dyqanet ku bëhet shitja e arkivoleve të mobilizohemi ti mbledhim. Arkivolet janë pagu me mjetet e Këshillit komunal për ndihma emergjente të cilat janë transferu përmes këshillit për financim. Gjakova në momentin e parë që është informuar për fillimin e betejës së Prekazit e ka shpallë një demonstrate të madhe, dhe janë mobilizua të gjithë njerëzit ta ndihmojnë Drenicën’’, ka thënë ajo.