Kanë mbetur më pak se 24 orë deri në hapjen e vendvotimeve në zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.
Pas një fushate shumë intensive, me përplasje e gjuhë të ashpër nga akterët politikë e jo vetëm, koha është për qytetarët që të vendosin fatin e vendit në katër vitet e ardhshme.
Përgjatë kësaj periudhe, kryeministrin në detyrë Albin Kurti mund ta kemi parë në shumë fronte por asnjëherë në media.
Ai ka zgjedhur që t’i bojkotojë paraqitjet në televizionet kosovare duke mos numëruar asnjë intervistë në to përgjatë fushatës (përjashto daljen në televizionin lokal Istogu Channel).
Megjithatë, koha deri në hapjen e vendvotimeve nuk do të kalojë pa një paraqitje televizive nga ai.
Prive.al mëson se stafi i Kryeministrit ka mbyllur detajet për një paraqitje televizive sonte.
Kurti ka zgjedhur Grida Dumën dhe Top Channel për daljen e tij të parë e të vetme mediale të rëndësishme në fushatë.
Intervista do të transmetohet sonte në darkë, në kohën kur në kushte tjera, Top Channel do transmetonte prime të Big Brother VIP, anuluar ky shkaku i një transmetimi special maratonë të televizionit që ka zgjedhur që këtë herë t’i mbulojë me interesim të madh zgjedhjet në Kosovë.
Ndërkohë mësohet se edhe kandidatët tjerë për Kryeministra, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza e Ramush Haradinaj do jenë ‘full’ me intervista jo vetëm në Top Channel dhe RTV Klan por edhe në televizionet kosovare përfshirë RTV Dukagjini. /Prive.al