Flutura Nishori, vajza e Ramadan Nishorit, të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka thënë se është krenare më babain e saj që sot u rrëfye për herë të parë.
Ajo tha se në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka pasur guximin të flasë.
Flutura ka shtuar se babai i saj theu heshtjen jo vetëm për vetën por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin.
“14 prilli shënon Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë. 20,000 gra dhe vajza janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.Për burra dhe djem numri i saktë nuk dihet, por besohet se qindra kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Për shkak të stigmatizimit edhe më të madh, turpit dhe frikës, shumë prej tyre nuk e kanë raportuar kurrë përjetimin e tyre . Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë. Në një shoqëri ku burrat rrallëherë ndihen të sigurt për të treguar plagët e tyre më të thella, ai theu heshtjen jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. Ky njeri është njeriu më i vlefshëm në jetën time, babi. Historia e babit nuk është e vetmja. Lufta nuk njeh rregulla dhe pasojat gjithmonë janë shumë të mëdha, por jetesa dhe shërimi janë shumë më të mëdha se pasojat! Dita e sotme le të jetë një përkujtim që kemi mbijetu dhe kurrë nuk jemi vetëm! Babush, drita e syve të mi, faleminderit që kurrë nuk je dorëzu e ke gjetë forcë me ma mbajt dorën n’këtë botë mizore! Jam tepër krenare me ty! Të dua përjetësisht!”