Një operacion i madh i Njësisë Kundër Terrorizmit është finalizuar me katër arrestime në komunën e Kaçanikut, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Lika.

Sinjali raporton se emrat e personave të ndaluar si: Labinot Murati, Fatjon Tusha, Elmedin Raka dhe Ridvan Axhami.

Të katër këta persona dyshohet se janë të përfshirë në vepra penale të rënda, përfshirë: “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje“, “Pjesëmarrje në grupe terroriste“, dhe “Rekrutim për qëllime terroriste“.

Operacioni u zhvillua mëngjesin e 25 prillit 2025 dhe përfshiu bastisje të njëkohshme në disa lokacione. Burimet hetimore kanë konfirmuar për Sinjalin se të arrestuarit kanë qenë nën masa të fshehta të hetimit prej kohësh dhe veprimet e tyre janë monitoruar përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve fizike.

Në terren, nën udhëheqjen e një prokurori special janë edhe pjesëtarë të njësitit të anti-terrorizmit të Policisë së Kosovës.

Aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Kelani nuk dha detaje më të hollësishme rreth aksionit.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut. Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha ai.

Ngjarja tronditëse, e cila ndodhi më 1 prill 2025, ka shkaktuar një reagim të gjerë nga opinioni publik, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë nga organet kompetente.

Deri tani, janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, duke përfshirë edhe dyshimet për planifikimin dhe ekzekutimin e aktit.