Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetik për të hyrat e lejuara maksimale të premten.
Derisa anëtarët e ZRRE-së nuk treguan për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës me tarifat e reja, Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të brendshme se rritja do të jetë deri në 16 për qind.
ZRRE-ja tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim.
Ndërkohë, është paralajmëruar një protestë në mesditë për ta kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.
Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.
Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Nëse bordi i ZRRE-së merr vendim për rritjen e çmimit të rrymës, atëherë tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.