Kosova ka bërë përparim të kufizuar sa i përket lirisë së medias, thuhet në raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024. Aty, përmendet raportimi i Radiotelevizionit të Kosovës ku rekomandohet që të adresohen sa më parë shqetësimet në lidhje me llogaridhënien dhe pavarësinë editorial.
Qysh në hyrje të pjesës për lirinë e medias, raporti i KE-së thekson përparimin e kufizuar. Veç kësaj, pavarësisht disa përmirësimeve, raporti përmend se krejt kjo është shoqeruar me zhvillimet që janë parë si përpjekje e qeverisë për të ushtruar kontroll mbi media.
“Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka bërë përparim të kufizuar. Disa përmirësime u bënë në lirinë e mediave, duke përfshirë aksesin në dokumente publike. Megjithatë, kjo u shoqërua me zhvillime të perceptuara si përpjekje të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.” – thuhet në raport, transmeton Nacionale.
Tutje, përmendet edhe publikimi i RTK-së së artikullit të një media boshnjake, e cila kishte për cak dy portale, Nacionalen dhe Periskopin.
“Nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli financiar afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për transmetuesin publik RTK. Në korrik të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm i RTK-së dha dorëheqje, duke përmendur 34 ndërhyrje politike dhe mosmarrëveshje me Bordin. Është thelbësore që drejtori i ardhshëm të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita, në mënyrë që të sigurohet autonomia institucionale dhe pavarësia editoriale. Më vonë gjatë vitit RTK u kritikua gjerësisht nga publiku për publikimin e një artikulli të huaj që synonte dy portale të lajmeve të Kosovës. Kjo çoi në dorëheqjen e kryetarit të bordit dhe dy anëtarëve të tjerë të bordit. Është thelbësore që bordi të bëhet sërish funksional shpejt. RTK-ja duhet të adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien dhe pavarësinë editoriale. Ndaj menaxhmentit janë parashtruar tri ankesa për diskriminim gjinor; këto janë ende në pritje.” – shkruan mes tjerash.
Sa u përket sulmeve ndaj gazetarëve, Raporti i Progresit përmes 72 të tilla në vitin 2023. Po ashtu, theksohet se sulmet dhe kërcënimet janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.
“Në vitin 2023, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) raportoi gjithsej 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, punonjësve të mediave dhe organizatave mediatike, që tregon një rritje të konsiderueshme. Pothuajse gjysma e rasteve kanë ndodhur në maj/qershor 2023, kundër gazetarëve shqipfolës që mbulonin protestat në veri të Kosovës. Deri në shtator, AGK ka raportuar 36 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Në vitin 2023, policia regjistroi 32 raste ku ankuesit ishin gazetarë dhe regjistroi 27 raste penale. Gratë gazetare janë më shpesh në shënjestër të sulmeve sesa gazetarët meshkuj. Shoqëria civile raportoi për rastet e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), por mungon kërkimi sistematik për këtë çështje.” – thuhet tutje në raport, transmeton Nacionale.