Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka lënë prapa kolegët e tij anëtarë në shpenzimin e derivateve që mbulohen me shpenzimet e institucionit që e drejton.

Dhe jo vetëm kaq, por Radoniqi dallohet nga kolegët e tij anëtar edhe për veturën që shrytëzon.

Të 11 veturat tjera kanë regjistrimin zyrtar “5Z”, por vetëm vetura që e shfrytëzon ai, një veturë e markës BMW, vazhdon të bartë tabela private.

“Kryetari i KQZ-së, Radoniqi, të dy detyrat shtetërore, si drejtues i KQZ-së, por dhe si gjyqtar në Gjykatën e Apelit, i kryen duke shfrytëzuar veturën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, bëjnë të ditur këto burime.

FrontOnline ka siguruar raportin e shpenzimeve të derivateve për veturat e KQZ-së për periudhën janar – qershor 2024, ku vërehet se Radoniqi ka shpenzuar me mijëra litra karburante, shumëfish më shumë se çdo anëtar tjetër i KQZ-së.

Asnjë veturë tjetër zyrtare e KQZ-së, nuk i afrohet shpenzimeve të mëdha të Radoniqit, edhe pse sipas raportit, vërehet se veturat tjera shfrytëzohen nga zyrtarë të ndryshëm të KQZ-së.

Vetëm gjatë periudhës janar – qershor 2024, të gjitha veturat e KQZ-së kanë shpenzuar 7,851 litra derivate dhe 247 litra disa vetura tjera të huazuara për një periudhë të shkurtër nga KQZ. Nga kjo sasi e derivateve të shpenzuara, vetëm Radoniqi me veturën e tij ka shpenzuar 1,029 litra.

Këto shpenzime të mëdha të derivateve, përkthehen edhe në kilometra të përshkuara. Sipas raportit brenda gjashtë muajve, Radoniqi ka përshkuar 18,644 kilometra rrugë, nga 110,281 që i kanë bërë të gjitha veturat e KQZ-së.

Portali “FrontOnline” i ka dërguar gjatë ditës së hënë pyetje KQZ-së në lidhje me derivatet e shpenzuara nga kryetari dhe anëtarët e KQZ-së, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.