Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Bashkimit Evropian me të cilin u liberalizuan vizat për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale serbe.
Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se me këto pasaporta, shkelet integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës.
“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.
Sipas Kadiut, vendimi ka qenë i ngutshëm dhe pa i vërtetuar faktet në terren.
“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Po ashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e Kadiut për mediat.
“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentet e Republikës sonë”, tha mes tjerash ai.
Ndryshe, Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.
Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.