Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës janë rritur në fillim gjatë këtij viti. Vetëm për tre muaj, Qeveria Kurti ka shpenzuar 679.1 milionë euro, ndërsa shpenzimet në tremujorin e dytë 2023 ishin 645.9 milionë euro.
Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti nuk është duke e kursyer fare paranë publike.
Në fakt, në vend të kursimit veçse i kanë rritur shpenzimet.
Në një raport të Agjencisë së Statistikave tregohet se për tre muaj, Qeveria Kurti ka shpenzuar mbi 678 milionë euro, shkruan Demokracia.com.
Kjo shifër është më e lartë për afro katër milionë kur krahasohet me kohën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Shpenzimet e Qeverisë më të mëdha në TM2 2024 krahasuar me TM2 2023. Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së përgjithshme në TM2 2024 ishin 679.1 milionë euro, ndërsa shpenzimet në TM2 2023 ishin 645.9 milionë euro”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.
Aty tregohet se shumica e këtyre parave kanë shkuar në paga dhe kontribute sociale.
“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë Kompensimi i punëtorëve me 30%, Kontributet sociale dhe përfitimet me 24%, Konsumi i ndërmjetëm 14%, Formimi i kapitalit bruto 14%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori tjera të shpenzimeve”.
Gjatë këtij viti vërehet edhe një rritje tek të hyrat, por që shumica e tyre është nga tatimet dhe taksat që kanë paguar qytetarët, jo nga ndonjë investim i qeverisë apo ndonjë prodhim i veçantë.
“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2024 ishin 782.6 milionë euro, ndërsa të hyrat në TM2 2023 ishin 654.4 milionë euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë Tatimet në produkte, të cilat paraqesin 66% të totalit të të hyrave, Tatimet rrjedhëse në të ardhura 18%, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”.