Enver Maloku, i cili ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.

Pak metra prej banesës së tij, në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Gazetari Enver Maloku ishte kërcënuar vazhdimisht nga aparati shtetëror i Millosheviqit, i instaluar dhunshëm në Kosovë.

Demokracia.com ka siguruar një reagim të QIK-ut të datës 8 tetor 1998, ku policia serbe kishte arrestuar dhe kërcënuar Enver Malokun, pak muaj para vrasjes së tij.

Enver Maloku u mbajt tri orë në polici, u kërcënua“, ishte titulli i QIK-ut më 8 tetor 1998.

Policët e armatosur serbë, në orën 20:30, më datë 7 tetor 1998, kishin ndaluar dhe arrestuar Enver Malokun përballë Teatrit Popullor të Prishtinës dhe e kishin mbajtur në arrest deri në orën 23:45.

Gjatë kësaj kohe z. Maloku u pyet për punën e tij dhe për shkresa, fotografi, kaseta e dokumente të ndryshme që i kishte me vete dhe që lidheshin me punën profesionale në gazetari“, thuhet ndër të tjera në artikullin e QIK-ut.

Madje, gjatë marrjes në pyetje, Enver Maloku ishte kërcënuar nga një person me rroba civile, që sipas gazetës, ishte person i sigurimit shtetëror serb.

Gjatë mbajtjes në stacion, në dhomën ku mirreshin shënimet e përgjithshme, hynin e dilnin vazhdimisht policë me uniforma dhe rroba civile, disa prej të cilëve kërcënoheshin me fjalë e me gjeste. Një person me rroba civile, që duket se ishte nga sigurimi shtetëror serb, iu kërcënua Enver Malokut dhe familjes së tij“, thuhet në artikullin e QIK-ut, ku pastaj tregohet se policia serbe i kishte konfiskuar telefonin, vulën e gazetës QIK, kompjuterin dhe pajisjet e tjera.

Ndonëse në dukje një ndalim rutinor nga një patrullë policie, ndalimi, marrja në pyetje, presioni psikologjik deri në kërcënim i zotit Enver Maloku s’ka si të shihet jashtë kornizës së politikës së deklaruar e praktikave represive serbe kundër veprimtarisë profesionale, gazetareske e politike, që bëjnë shqiptarët në Kosovë“, thuhej në reagimin e QIK-ut.

Po ashtu, më datë 23 dhjetor të vitit 1998, pak ditë pas vrasjes së Enver Malokut, ishte mbajtur një tryezë nga gazetarët kosovarë ku në mesin e tyre kishte diskutuar edhe Enver Maloku dhe kishte treguar specifikisht për kërcënimet serbe.