Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u është drejtuar vet me një video-mesazh prindërve për skandalin me doracakët për edukimin seksual. Kurti, krejt informacionet në media e reagimet publike i quajti “luftë hibride” ndaj tij. A e pranoi se i kanë hequr doracakët dhe se do të rishikohen përsëri, por pa treguar se nëse do të hiqeshin pa informacionin e mediave e pa reagimin publik, apo do të promovoheshin ashtu siç ishin promovuar në vitin 2023 nga qeveria e vendit.
“Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve.” – ka shkruar Kurti.
Ndërkohë që ka pranuar se doracakët janë fshirë nga faqja e MAShT-it. “ne kemi shprehur gatishmërinë për të rishikuar përmbajtjen që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit.” – tha ai.
Tutje ai ka provuar ta shpërndajë përgjegjësinë, duke përmendur LDK-në e PDK-në. Ndërkohë doracakët në fjalë nga vet qeveria e tij, përkatësisht Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ishin promovuar si sukses i kësaj qeverie.
Madje ishte vet Ministrja Nagavci e cila në Kuvend i mbrojte këta doracakë, duke thënë se kanë krijuar politika të mira, që e pamundësojnë abuzimin me nxënësit dhe fëmijët.
Por i tërë narracioni ndryshoi pas reagimit të jashtëzakonshëm publik.
Tash, doracakët s’janë të mirë, s’i kemi bërë ne dhe një “luftë hibride” po zhvillohet ndaj nesh, me doracakët e edukimit seksual. Ky është narracioni i qeverisë së vendit.
Reagimet për adresimin e Kurtit
Pas adresimit skandaloz të Kurtit reagimet ashtu si për doracakët pas publikimit erdhën “rrufe”.
Kryetare e F. Gruas në LDK dhe drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, ka akuzuar kryeministrin Kurti për “tentim të shfajësimit” për përmbajtjen e Doracakëve sonte me video.
Ajo kujtoi se vetë ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci ishte krenar me doracakët e miratuar dhe promovuar në vitin 2023.
“Vet ministrja është krenuar me doracakët e miratuar dhe promovuar në vitin 2023!Kjo është e vërteta ‘e saktë’ e verifikuar nga shumë burime “ – ka shkruar ajo ndër të tjera.
Edhe deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili nga rradhët e LDK-së ka reaguar pas video-adresimit të kryeministrit Kurti, i cili doracakët skandaloz për edukatën seksuale i lidhi me luftë hibride.
Kica-Xhelili ka shkuar se qeveria është gjunjëzuar.
“Mos shpifni, mos u mbroni, mos i ikni përgjegjësisë.Mbani duart larg fëmijëve! Mbani duart larg familjes!” – ka thënë ndër të tjera deputetja.
E deputeti Besian Mustafa veç ka publikuar fotografitë ku Ministrja Nagavci thoshte se MASht ka hartuar këta doracakë e krenohej me ta, duke shtuar pyetjen: “Kush i ka hartu doracakët, kush????
Edhe i keni promovu bile!!!”.