Është mbajtur fjala përfundimtare për vrasjen në Bon Vivant, ku po akuzohet Andi Pajaziti.
Andi Pajaziti po akuzohet për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, fjalën përfundimtare e paraqiti prokurorja Gjonbalaj, duke thënë se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar se Pajaziti është fajtor për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore dhe armëmbajtje pa leje.
Prokurorja tha se prova më e rëndësishme që është video-incizimi, si dhe vetë ekspertiza mjekësore kanë nxjerrë përfundimin se Pajaziti duhet të shpallet fajtor për veprat penale për çka është ngarkuar.
Në fund, prokurorja Gjonbalaj kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit Pajaziti t’i llogariten si rrethanë rënduese dënimet e kaluara për vepra penale dhe dëmi që është shkaktuar nga veprimi i tij.
“Rrethanë rënduese se i akuzuari Pajaziti është i dënuar për vepra të tjera penale dhe dëmi i shkaktuar”, tha Gjonbalaj.
Mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij.