Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar bastisjet e sotme në Ministrinë e Bujqësisë.

Përmes një përgjigje me shkrim për Telegrafin, Prokuroria Speciale ka thënë se kjo bastisje është kryer me qëllim të verifikimi të disa pretendimeve lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja e që tash është nën menaxhim të ministrisë.

“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka theksuar se zytarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së.