Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, mbrëmë në një interistë ka folur për shumë çështje aktuale në vend, siç janë; masat e BE-së ndaj Kosovs, hapja e Urës së Ibrit, takimin me shefin e CIA-s, dështimin për anëtarësim në Këshill të Europës, sekserin e energjetikës Martin Berishaj, incidentin në aeroportin e Shkupit dhe gjithashtu për raportet e saja me pushtetin.
Periskopi do ju sjellë në vazhdim një përmbledhje të asaj çka tha Presidentja Osmani…
Raportet Vjosa Osmani – Albin Kurti
Ndër temat më të diskutuara në vend është ajo e raportit mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti. Mbrëmë, Vjosa Osmani, për shumë dështime të Kosovës gishtin e drejtoi tek Qeveria.
Pati raste, kur nuk hezitoi të përgjigjet personalisht edhe për Albin Kurtin.
Teksa po fliste rreth incidentit që ndodhi në Aeroportin e Shkupit mes saj dhe stafit të sigurimit atje, Vjosa Osmani u pyet nëse e ka telefonuar kryeministri Kurti në ndonjë moment për ta pyetur rreth kësaj situate.
Presidentja nuk hezitoi të përgjigjet. “Jo, absolutisht në asnjë moment”, deklaroi ajo, ku tutje theksoi se duhet pyetur vetë Kurti rreth kësaj.
Fillimi i krisjes së raporteve mes saj dhe Qeverisë është dështimi për anëtarësim në Këshill të Europës.
Presidentja Osmani, ka folur lidhur me moskoordinimin për letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në maj të këtij viti.
“Krejt nuk ka qenë e pakoordinume. Pjesa ma e rëndësishme, pikërisht aty ku u kompliku puna, aty ka mungu koordinimi. Dhe për fat të keq po i shohim pasojat. Ju e dini kush e prishi dasmën sepse jemi deklaru për atë punë publikisht. Tash duhet me u rishiku qysh me i bashkë forcat” – tha ajo.
Në pyetjen se a ka prishur punë kryeministri Albin Kurti apo ministrja Donika Gërvalla, presidentja Osmani u përgjigj duke thënë “Qeveria e Republikës së Kosovës”.
Osmani tha se ajo nuk është pajtuar kur Qeveria e ka ofruar Asociacionin.“Më së shumti e kanë prishur ata që kërkojshin që Asociacioni me u bë parakusht për një organizatë të të drejtave të njeriut që as nuk e ka standard Asociacionin. Unë nuk jam pajtu kur Qeveria e ka ofru Asociacionin. Ka qenë gabim. Në atë fazë kur nuk ka mujtë as me të kry punë. Dihet kush e ka ofru Asociacionin pesë minuta në 12:00. Nuk e kam ofru unë. Qeveria e Kosovës. Letra u dërgu ne emër të Qeverisë”- u shpreh ajo.
Osmani tha se ka qenë në Kosovë kur ka ndodhur kjo ngjarje, por askush nuk e ka thirrur.
“Unë kam qenë në Kosovë kur ka ndodhur kjo punë. Askush nuk ka provu me thirr, as me njoftu. Pastaj janë mburrë me atë qasje që s’e kanë konsultu presidenten e Republikës së Kosovës, se si individë nuk me mbetet hatri”- tha Osmani.
Tutje, Presidentja foli edhe për punësimet e militantëve të VV-së.
“Jam befasu edhe vetë kur i kam lexu emrat”, deklaroi ajo rreth kësaj çështje.
“Asnjë fjalë nuk e kam prishë sa i përket emërimeve të militantëve. Unë s’i kam emëru. Duhet me i pyet institucionet që i kanë emëru. Gjema një odë që unë kam shku edhe kam thanë ka me i emëru bordet. Shumicën e bordeve unë nuk i emëroj. E emëroj auditoren e përgjithshme, e kam zgjedhur personin me më së shumti pikë në konkursin britanik – një grua. I dekretoj gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pasi të votohen në Kuvend. E treta e bashkëemëroj drejtorin e AKI-së, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme. Emrat e të emëruarve në ndërmarrjet publike kurrë nuk vijnë te ne. Ju duhet me lyp përgjigje qoftë te Qeveria, qoftë te Kuvendi”, tha Osmani.
Ndër të tjera ajo u pyet se a do ta kandidojë VV atë si presidente, Osmani u kthye mbrapa në kohë, duke thënë se në vitin 2020 kishte qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Osmani shtoi se atë kohë nuk e mendonte kandidimin si presidente ose deputete.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë
Një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është paraqitur për Kosovën në takimin mes presidentes Vjosa Osmani dhe shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), ëilliam Burns.
Ajo tha se për momentin këtë kërkesë nuk mund ta bëjë publike, megjithatë, sipas saj, është kërkesë në të mirë të Kosovës.
“Takimet e tilla janë të klasifikuara në tërësi. Zakonisht pas disa viteve deklasifikohen. Ka qenë takim shumë i mirë. Është paraqitur vetëm një kërkesë nga SHBA. Për momentin nuk mund të them cila ka qenë ajo kërkesë. Por nuk m’u ka dukur kërkesë e jashtëzakonshme, përkundrazi kërkesë në të mirë të Kosovës. Ka qenë takim shumë-shumë pozitiv”- u shpreh ajo.
Çështja e hapjes së Urës së Ibrit
Presidentja Vjosa Osmani, edhe rreth çështjes së Urës së Ibrit i dërgoi një mesazh Qeverisë.
“SHBA-të në asnjë moment nuk kanë kërkuar që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mbahet e mbyllur. Po kërkohet vetëm koordinim e jo nënshtrim”, kështu deklaroi ajo teksa po fliste për këtë çështje.
Ajo ka thënë se kërkesë e SHBA-së është që të vendoset bashkë data e hapjes bazuar në vlerësimet e sigurisë.
“Po vlerësohet që duhet të bëhen përgatitje bashkë me aleatët, koordinim i përbashkët edhe për çështjen e urës, në mënyrë që të veprojmë bashkërisht. Në asnjë moment Amerika nuk po kërkon ta mbajmë urën mbyllur. Po kërkon që të ulemi bashkë dhe të vendosim datën bashkë duke u bazu në vlerësime të përbashkët të sigurisë. Unë nuk e di kush po e refuzon se unë s’jam prezente në takimet e ambasadorit me Qeverinë”- ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se kërkesën për koordinim asnjëherë nuk e konsideron si nënshtrim.
Ndërsa ka thënë se për të ka qenë e papranueshme kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë që çështja e Urës së Ibrit të diskutohet me Serbinë në Bruksel.
Sipas saj, synimet me SHBA-në janë të njëjta ndërsa momentum duhet të zgjidhet bashkë.
“E kuptoj frustrimin e qytetarëve. Ura nuk është dashtë më u mbyll kurrë. Ata që na kanë çliru, jo me i pyet , por me u koordinu bashkë me ta, edhe shtetet me të mëdha ulen me shtetet e vogla e i dakordojnë disa gjëra. Jemi shtet siguria e të cilit varet edhe nga partnerët tanë. Është në interes të Kosovës që ne ta kemi NATO-n këtu dhe që Amerika të na përkrahë, nuk është nënshtrim”- tha ajo.
Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare (përfshirë SHBA-në, BE-në, KFOR-in), e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Qysh ndërroi deklaratën Vjosa Osmani nga e kaluara për sekserin Martin Berishaj
Në vitin 2022, Vjosa Osmani theksonte se kuzat ndaj Berishajt nuk ishin konfirmuar nga organet e drejtësisë dhe se ambasadori kishte mohuar të gjitha akuzat, duke planifikuar të ndiqte të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur reputacionin e tij.
Madje, Presidentja citonte presidentin amerikan Joe Biden, duke nënkuptuar se akuzat ishin dezinformata: “Siç ka thënë presidenti Biden, rreziku më i madh për demokracinë tonë nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat.”
Por, NDRYSHE deklaroi mbrëmë në intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.
Ajo ka thënë se do të ishte më mirë për shërbimin e jashtëm të Kosovës që Martin Berishaj të largohej nga pozita e tij si ambasador në Kroaci, derisa të përfundojnë hetimet.
Presidentja sqaroi se nuk ka kompetencë të shkarkojë ambasadorin direkt, por sugjeroi që Berishaj të dorëhiqej për të mbrojtur imazhin e politikës së jashtme të Kosovës.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë sepse e kam pasur stafin tim, dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës. . Është mirë të largohet. Unë dua që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë në krye në vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheq vet. Në takime të përbashkët që i kemi bë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”, deklaroi Osmani.