Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në emisionin Kallxo Përnime, ka folur në lidhje me lajmin skandaloz të transmetuar në RTK, ku televizioni publik kishte cituar një lajm të rremë të një portali boshnjak, ku sulmonte mediat Nacionale e Periskopi, për kinse lidhje me Serbinë.Drejtori i RTK-së Rilind Gërvalla kishte përmendur institucionet e sigurisë në mbledhje të bordit, duke lënë të kuptohet se kishte informacione, prandaj u shty transmetimi i atij lajmi. Por, shefja e shefit të AKI-së, pra Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka dhënë fund këtij debati duke treguar se e ka kontaktuar për këtë punë të parin e AKI-së e duke e konfirmuar se nuk kishte asnjë lajm apo informacion që është dhënë nga AKI për RTK-në.
Xharra: Cka mendon ti për përfshirjen e AKI-së në dërgimin e lajmeve në RTK?
Osmani: Nuk ka bërë një gjë të tillë AKI-ja.
Xharra: A i ke pyet ti AKI-në?
Osmani: Absolutisht, po po i kam pyet në momentin e parë që është thënë një gjë e tillë dhe më është thënë që abolutisht një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Tash dikush mundet me ja përmend emrin AKI-së. Unë dëgjoj që nganjëherë kundërligjshëm thotë kam me ta sjell AKI-në këtu e aty dhe këto janë gjana shumë shqetësuese.
Xharra: A i bjen kjo që këta që kanë thanë në RTK që e kanë marrë prej AKI-së, po rrejnë?
Osmani: AKI-ja mua zyrtarisht më ka informuar që nuk ka dërguar lajme askund, sepse AKI-ja i raporton presidentes dhe kryeministrit, nuk i raporton RTK-së.
“Zyrtari ishte atje”: Rilind Gërvalla implikoi institucionet e sigurisë në lajmin e rremë të RTK-së kundër Nacionales
Një ditë pasi Radiotelevizioni i Kosovës raportoi një lajm skandaloz ku akuzoi dy media të Kosovës se financohen nga Serbia, duke e cituar portalin “Slobodna Bosna”, bordi i RTK-së pati mbledhje të jashtëzakonshme.
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Kosovë, është përfshirë nga drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla, si i përfshirë në lajmin e Slobodna Bosnës kundër Nacionales dhe Periskopit. Madje, sipas fjalëve të Gërvallës, ky zyrtar i lartë i sigurisë, ka qenë në seminar në vendin ku ka dalur lajmi (pra aludon në Bosnje e Hercegovinë).
Ish-anëtari me librezë i Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, në mbledhjen e Bordit më 23 korrik, ka thënë se informata për artikullin e Slobodna Bosnës iu ka ardhur nga institucionet e sigurisë. Kështu thuhet në raportin që Nacionale e ka siguruar ekskluzivisht nga burimet e veta brenda RTK-së. Pra, Rilind Gërvalla, akuzon institucionet më të larta të shtetit në këtë skandal, madje duke thënë se zyrtari “ishte në një seminar, po supozoj në vendin ku është bërë lajmi”.
“Por neve na është dukur e arsyeshme që është lajm i cili duhet pasqyrohet dhe në momentin kur ty të vie një lajm nga instancat e sigurisë të cilët kanë organe verifikimi dhe analiza për këto çështje, natyrisht që ne e kemi pranuar si të bazuar me fakte dhe natyrisht një ndër fjalitë e diskutimit me personin që është caktuar përgjegjës për mediat dhe për takimet me to, ai ishte në një seminar, po supozoj që në vendin ku është bërë lajmi ku i njëjti tha që këtu po diskutohet shumë dhe natyrisht ka dalë në portalin këtu dhe është mirë që të publikohet. Është marr apriori si një siguri e lartë e verifikimit kur kemi të bëjmë me instanca të sigurisë”, ka thënë Rilind Gërvalla në mbledhjen e Bordit të RTK-së të mbajtur më 23 korrik.
Ndryshe në lidhje me këtë zhvillim brenda RTK-së kanë dhënë dorëheqje Kryetari i bordit Besnik Boletini, anëtarë të bordit, redaktori i Lajmeve Qëndrore të edicionit kur u transmetua lajmi i rremë, Jeton Musliu, U.D. Drejtoresha Zana Spahiu.
Pas këtij lajmi të rremë e linçues kundër “Nacionale” e “Periskopi” të transmetuar në RTK, disa që dhanë dorëheqje por edhe të tjerë që ende punojnë në televizionin publik, kanë “denoncuar” publikisht drejtorin Rilind Gërvalla për presion e për forma të ndryshme të ndikimit brenda transmetuesit publik. Megjithatë ky i fundit nuk është shkarkuar pasi emri i tij për shkarkim do të duhej të kalonte përmes zv.Drejtorit Adi Krasta, i cili ka hezituar ta bëjë një gjë të tillë.