Presidentja, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bujari dhe grupin “Koha”, me rastin e vdekjes së fotoreporterti, Alban Bujarit.
Osmani thotë se këtë lajm e mori me dhimbje të thellë, për ndarjen e parakohshme nga jeta të, ikonës së fotografisë dhe dëshmitarit të pashoq të historisë.
“Nëpërmjet objektivit, ai dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke na lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie. Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë”.
“Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, ka shkruar e para e vendit.