Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë nga Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në rajonin e Mitrovicës së Veriut, ku ka parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.

Më 24 mars 2025, pas marrjes së informacionit të besueshëm se një automjet me targa serbe dyshohej se po transportonte narkotikë, DHTN-Mitrovicë veri, në koordinim me Policinë Kufitare dhe mbështetje nga Njësia e Krim Teknikës, ka realizuar një operacion në Pikën e Kalimit Kufitar Republika e Kosovës–Serbi në Jarinjë.

“Gjatë realizimit të operacionit policor të koduar “SHTEGU” për kontrolle të disa automjeteve të dyshuara, një automjet i markës Mercedes A-Class me targa serbe është përzgjedhur për kontroll. Pas ngritjes së dyshimeve, automjeti është dërguar në Mitrovicën e Jugut për një kontroll më të detajuar. Gjatë inspektimit, është gjetur një rezervuar metalik me sasi narkotikësh. Në hapjen e rezervuarit, janë gjetur 30 pako me marihuanë, me një peshë totale prej 32.4 kilogramë,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Operacioni është realizuar në konsultim me Prokurorinë e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe automjeti është sekuestruar për hetime të mëtejshme. Dy telefonë celularë janë konfiskuar gjithashtu. I dyshuari, me iniciale N.M. nga Beogradi, është arrestuar dhe është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe rendin, duke luftuar çdo formë të krimit, përfshirë trafikun e narkotikëve,” deklaron Policia e Kosovës në njoftimin e saj.