Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim reperin e njohur Noizy dhe Bahtjar Bajraktarin, si të dyshuar për përleshjen që ndodhi në një diskotekë në Pejë javën që shkoi.

Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se ata po kërkohen për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Policia ka kërkuar nga të gjithë ata që kanë informacione për vendndodhjen e tyre, që ta lajmërohen në stacionin më të afërt policer.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka deklaruar para dy ditësh se reperi shqiptar nuk është paraqitur në stacionin policor përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij, andaj i ka bërë atij dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.

Nikqi ka thënë se të gjithë qytetarët që janë në dijeni të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.

“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit (Noizy) dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese. Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial nëve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi.

Kujtojmë se Noizy ka mohuar se ka qenë i përfshirë në rrahje. Ai përmes një postimi në Instagram ka thënë se në momentin që kishte shpërthyer përleshja, sigurimi e kishte shoqëruar jashtë dhe se nuk e kishte goditur për asnjë çast personazhin e tik-tokut.

“Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qen aty në atë moment”, ka shkruar ndër të tjera reperi Noizy.

Policia njofton se tё pandehurit kërkohen për veprën penale: Lёndim i rёndё trupor.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, E-mail adresa: [email protected]”, apleon policia.