Driton Dobruna, personi që kishte kërcënuar me jetë gazetarin Vehbi Kajtazi, është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe është parë në një tubim të partisë në Gjakovë.

Ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim efektiv për kanosje.

Në lidhje me këtë ngjarje, gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, duke theksuar se Dobruna duket të jetë helmuar nga narrativat e partisë në pushtet, të cilat promovojnë urrejtje dhe dhunë ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

“Tash po e kuptoj nga buron urrejtja e një të ashtuquajturi avokat ndaj meje. Driton Dobruna, i dënuar vitin e kaluar me pesë muaj burgim efektiv për kërcënim ndaj meje, tashmë po shfaqet si një aktivist i partisë në pushtet. Si i tillë, ai u shfaq sonte në një tubim të vogël të Vetëvendosjes në Gjakovë, ku foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Dobruna, i cili në gjykatë u pati arsyetuar se ka probleme të shumta, përfshirë edhe ato “mendore”, duket se është helmuar nga partia në pushtet me urrejtje, mllef dhe dhunë kundër atyre që nuk mendojnë si partia në pushtet”, ka shkruar Kajtazi.

Sipas tij, Albin Kurti ka injektuar helm kudo në popull dhe procesi i shërimit nga kjo gjendje do të jetë i vështirë dhe me kosto të lartë.

Driton Dobruna akuzohej se kishte kanosur me jetë gazetarin Vehbi Kajtazi.

Sipas dosjes së prokurorisë, Dobruna i kishte shkruar në Messenger.

“A e din cila dhimbja më e madhe për një qenie, – me ly me benzinë, e pas dy minutave me shu me zjarrfikës, e këtë me e përsërit disa herë deri sa të vdesësh, më ke vrarë, tani jam vetëm si trup i pa shpirt, të jesh i sigurt, premtimin do ta mbaj, unë e ti së bashku në ferr”- ishin fjalët që i kishte dërguar i akuzuari gazetarit, Kajtazi, sipas prokurorisë.

Sipas prokurorisë, Dobruna e ka kanosur Kajtazin për një shkrim të protalit “Insajderi” që fliste për arrestimin e Dobrunës në muajin maj të viti 2024, ndonëse autor i shkrimit nuk ishte Kajtazi.

I akuzuari, më 01.11.2024 ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale të kanosjes dhe kishte kërkuar falje dhe kishte shprehur keqardhje.

Sipas prokurorisë, Dobruna, fillimisht ja kishte dërguar si “screenshot “Kajtazit lajmin e “Insajderit” duke vazhduar me shkrimin “Do të shihemi së shpejti, të adhuroj si gazetar, je idoll i im, Faleminderit për vuajtjet që mi ke shkaktuar, por të dua shumë, mezi po pres me u taku me ju, Vehbi k***, do të gjejë, do të takohemi, të dua, ma ke prish jetën, por nuk ka dert, se ti je gazetar, a e din cila dhimbja më e madhe për një qenie, – me ly me benzin e pas dy minutave me shu me zjarrfikës, e këtë me e përsërit disa herë deri sa të vdesësh, më ke vrarë, tani jam vetëm si trup i pa shpirtë, të jesh i sigurt premtimin do ta mbaj, unë e ti së bashku në ferr”.

Me këto veprime sipas prokurorisë i akuzuari ka kanosur Kajtazin duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

I akuzuari Driton Dobruna figuron si avokat në regjistrin e Odës së Avokatëve të Kosovës.